Të pasur, kapriçiozë e gjithë teka, ja si yjet e futbollit po tallen me klubet e tyre

Kristiano Ronaldo dhe Robert Levandovski duan të prishin kontratat e tyre me klubet përkatëse, Mançester Junajtid e Bajern Mynih. Ashtu qetëqetë, pa u shqetësuar shumë për pasojat. Ata, privatisht, por dhe publikisht po e paraqesin si dramatike situatën e tyre në klube, me qëllimin e vetëm për të mos përmbushur vitin e fundit në kontratë. Kristiano Ronaldo ka refuzuar të bashkohet në stërvitje me klubin e tij, e për më shumë akoma nuk ka udhëtuar me Junajtidin drejt Tailandës për fazën përgatitore. Për Levandovskin të gjithë janë në pritje se çfarë do të ndodhë nesër, kur normalisht duhet të paraqitet në qendrën stërvitore të Bajernit për të nisur nga puna.

Collage Maker-11-Jul-2022-04.51-PM

Motivet e të dyve janë të ndryshme. Kristiano po i afrohet të 38-ave, ka përpara Botërorin dhe dëshiron të luajë në Ligën e Kampioneve, gjë që Junajtid nuk ia përmbush dot. Levandovski, nga ana e tij, thjesht është fiksuar me idenë për të luajtur me Barcelonën dhe është gati të harrojë 7 vitet e kaluara në Mynih. Situata gjithnjë e më shumë po ngjan me një diktaturë lojtarësh që herët a vonë do të ndryshojë. Kristiano Ronaldo dhe Levandovski nuk janë të vetmit në grupin e lojtarëve tekanjozë që vazhdojnë t’u vënë kushte klubeve të tyre.

Rasti i radhës vjen nga Dembele. Sulmuesi i katalanasve ka mbyllur detyrimet me klubin, por prej orësh po flitet për një marrëveshje të re që do të çonte në rinovimin e kontratës së tij me Barcelonën. Ai vazhdon të mos tërhiqet nga kushtet e vëna, por duket se këtë herë Barcelona është gjendur më e përgatitur para presioneve të tij. Klubi e ka ndarë mendjen për t’i ulur rrogën me së paku 40%. Në të kundërt le të gjejë një skuadër tjetër që do t’i plotësonte dëshirat e tij financiare. Ndoshta të njëjtën gjë duhej të bënte dhe Junajtid me Ronaldon. Portugezi dëshiron të luajë në Champions, por nëse Junajtid nuk do të luajë në kompeticionin elitar në këtë sezon përgjegjësi ka dhe vetë Ronaldo. Një tjetër klub që vendosi t’i tregonte muskujt një lojtari të vet ishte Paris SG-ja me Nejmarin.

Lojtarët në këto raste përdorin ligjshmërinë e kontratave të tyre, ndaj duhet të tremben, me shembuj si Atletik Bilbao me Fernando Jorenten ose PSG ja me Mbapenë. Klubet duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të bëhen më të fortë në këto raste, sepse edhe lojtarët e mirë (Haland, Mbape) po lirohen të marrin paratë nga një transferim i mundshëm. Barcelonës ndoshta i shkon për shtat loja që po bën Levandovski me Bajernin. Por Barça duhet ta kuptojë se këtë gjë mund t’ia bëjë Siti nesër apo dhe vetë Bajerni. Mançester Junajtid dhe Bajerni i kanë të gjitha mundësitë për t’i treguar forcën e tyre Ronaldos e Levandovskit. Mesazhi do të ishte i qartë dhe kuptimplotë: “Klubi respektohet, cilido qofsh si lojtar”. Nëse klubet europiane do të ulin kokën dhe do të shohin vetëm shtëpinë e tyre me siguri do të vijojnë të ushqejnë lojtarët e pasur, kapriçiozë dhe të llastuar e kjo për shkak të vetë dobësisë së klubeve.

Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×