Interi do të përballet nesër në 18:30 me Luganon në miqësoren e parë zyrtare, në 90 minutat që do t’i ofrojnë një tjetër mundësi Simone Inzagit për të punuar me grupin e tij që ende është një kantier i hapur për sa u përket afrimeve dhe largimeve. Të shtunën ndaj Milanezes ra në sy ndryshimi i modulit 3-5-2, emblemë e trajnerit dhe e Interit që u përshtat në një 3-4-1-2, me aktivizimin e Korreas pas dyshes Lukaku-Lautaro. Eksperimenti rezultoi me gola dhe lojë të bukur përballë një kundërshtari modest, por nesër tekniku do të ketë rastin të vërë në provë edhe një herë tjetër pesë pika kyçe të lojës së tij.
“LU-LA” E RE – Lukaku e Lautaro në dy vitet e para së bashku kanë treguar jo vetëm kimi, por kanë prodhuar mes tyre shumë gola e asiste vendimtarë për ekipin. Dygolëshi i argjentinasit dhe një i belgut të shtunën ishin një sinjal pozitiv, por ngelet ende për të kuptuar nëse lidhja mes tyre është po aq e fortë dhe nëse Lukaku do t’i përshtatet lojës së Inzagit si asaj të Kontes.
MODULI DHE KORREA – 3-4-1-2 i provuar do të jetë sërish në testim, mbi të gjitha për faktin se i zgjidh shumë punë Inzagit, por edhe Korreas, që në rolin e fantazistit jo vetëm që bëri mirë, por shkoi edhe te goli. Simone e di se ky rreshtim i shërben jo vetëm “Tukut”, por edhe Mikhitarianit, e do të jetë ideali nëse do të mbërrijë njëfarë Paulo Dibala.
KRAHË TË RINJ – Korsitë kanë ndryshuar emra, të paktën ai i majti. Largimi i Perisiçit ia ka ngarkuar përgjegjësinë Gosensit që duhet të tregojë se është në lartësinë e kroatit, ndërsa nga ana tjetër Dumfris qëndron pronari, por zikaltrit shpresojnë shumë edhe tek afrimi i ri, Belanova. Inzagi e bazon lojën e tij në krahë dhe pret përgjigjen e duhur nga të gjithë faktorët, qofshin ata titullarë ose jo.
ASLLANI – Transferimi i njërit prej talenteve më të pastra që u shfaq sezonin e shkuar, për të plotësuar një nga boshllëqet më të mëdha të skuadrës, një lojtar me tiparet e Brozoviçit, i ka zgjidhur jo pak punë Inzagit. Asllani ka bërë mirë në këto ditë të para, edhe pse u aktivizua në një mesfushë me katër dhe trajneri pret ende ta shikojë në modulin normal gjatë miqësoreve, për t’u bindur për aktivizimin e vazhdueshëm të 20-vjeçarit gjatë një sezoni të ngjeshur.
TJETËR MUR – Një tjetër provë duhet të bëhet në mbrojtje, aty ku Shkriniar, por edhe De Vraj janë drejt largimit. Zëvendësuesit Bremer e Milenkoviç janë gjetur, por trajneri e di se do të duhet kohë që një repart në të cilin mund të ndryshohen dy prej tre protagonistëve të kthehet në një mur. Për këtë Inzagi shpreson që klubi t’i kryejë sa më shpejt ndryshimet, që të ketë në dispozicion kohën e duhur për të ngritur mburojën para Handanoviçit ose Onanës.
Arena e Lajmit

Loading…
Loading…