
Një operacion policor i autoriteteve italiane rezultoi në arrestimin e një 23-vjeçari shqiptar, i cili dyshohet se ishte përgjegjës për tregtimin e lëndëve narkotike pasi në banesën e tij në Peschiera u zbuluan 409 gramë kokainë dhe 281 gramë hashash, 3 peshore, materiale të ndryshme për paketimin e drogës dhe rreth 50 mijë euro.
Pasi e kanë vëzhguar për një kohë të gjatë lëvizjet e tij, karabinierët kanë ndërhyrë pasditen e së shtunës teksa i jepte një dozë kokaine një blerësi, ndërsa të kapur në momentin e shkëmbimit, të dy u ndaluan menjëherë dhe në makinën e të riut shqiptar iu gjetën 35 doza të tjera kokainë, përveç 40 eurove të marra për drogën e sapo shitur.
Pas arrestimit të tij në flagrancë, karabinierët kryen kontrollin në banesën e tij ku gjetën dy copa të konsiderueshme kokainë me peshë totale 380 gram dhe të fshehura në kasafortë, gati 50 mijë euro kartëmonedha të prerjeve të ndryshme, ndërsa llogaritet se pasi të shitej, e gjithë droga e sekuestruar do të kishte një vlerë tregu mbi 34 mijë euro.
Arena e Lajmit