Gega ka dilema për skemën/ Trajneri i Kukësit po provon dy module për sezonin e ri

Me kalimin e ditëve, skuadra e Kukësit po e rrit dozën e ngarkesave në përgatitje, pasi gjatë paradites së djeshme ka kryer një seancë stërvitore në palestër, ndërsa pasdite ka zbritur në fushë.

kukesi

Ana fizike duket të jetë shumë thelbësore për tekniku Gega, i cili kërkon që në startin e kampionatit të jenë të gatshëm në këtë aspekt dhe skuadra të mos çalojë të paktën nga kjo anë.

Sakaq, i vetmi që nuk i është bashkuar ende grupit të lojtarëve është mesfushori Shqiprim Taipi, i cili vuan ende nga një dëmtim në këmbë në sezonin e kaluar dhe i është lënë më shumë ditë në dispozicion për të pushuar dhe për t’u riaftësuar plotësisht.

MANOVRAT- Java e parë e përgatitjeve i ka shërbyer të gjithë skuadrës për t’u njohur më mirë me njëritjetrin, pasi shumë pak futbollistë kanë mbetur nga sezoni i kaluar. Gega ka tentuar manovra të ndryshme gjatë ndeshjeve që ka zhvilluar brenda grupit, duke shpresuar që të gjejë edhe atë ekuilibrin ideal në skuadër.

Në fakt, dilemat e tij në këtë Kukës nuk janë të shumta sa u përket titullarëve që ka projektuar për në fushë, sepse edhe alternativat i mungojnë. Për momentin është duke qartësuar edhe modulin me të cilin do të prezantohet këtë sezon në kampionat, në mënyrë që të hedhë në fushë edhe lojtarët që mund t’i shërbejnë më mirë. Tekniku është në mëdyshje sa i përket një skeme 4-3-3 apo 4-2-3-1, duke parë edhe karakteristikat e lojtarëve që ka në dispozicion te Kukësi.

Gjatë përgatitjeve të kësaj jave janë provuar të dyja modulet, por është ende herët për të dalë në konkluzion. Nga ana tjetër, duket se e gjithë loja do ta bazohet te këmbët e kapitenit Gjelbrim Taipi, i cili do të ketë detyrën që të shtyjë skuadrën përpara dhe të nisë aksionet sulmuese për të tijtë.

MIQËSORJA- Këtë javë Kukësi ka menduar që të luajë edhe një ndeshje miqësore, por pa e specifikuar ende se me kë skuadër. Ky takim do t’i shërbejë trajnerit për të parë nga afër edhe gjendjen e disa të rinjve, të cilët mendohet të afrohen në ekipin e parë, edhe si politikë e klubit për t’u dhënë mundësinë të tregojnë veten e tyre. Para se të nisen drejt Turqisë për fazën përgatitore, më herët do të bëhen disa seleksionime nga përgatitjet në Shqipëri.

VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×