Po kalon dëmtimin, Origi zbulon misionet e Milanit: Dua titullin dhe Champions-in

Prej një jave përgatitet me shokët, por ndesh jet me fanellën e re nuk pritet t’i provojë përpara nisjes së kampionatit. Kujdesi është i gjithi për dëmtimin në kofshë që e privoi nga fundi i sezonit me Liverpulin, por Divok Origi mezi pret të japë kontributin e tij siç ka dëshmuar në intervistën e fundit.

Origi

Si jeni?

Shumë mirë. Po bëj të pamundurën për të qenë i disponueshëm sa më shpejt që të jetë e mundur. Punoj çdo ditë sepse qëllimi im është që të jem gati edhe më herët se nisja e kampionatit. Dua të përgatitem në maksimum si fizikisht, ashtu edhe mendërisht apo shpirtërisht.

Si do ta analizonit këtë moment të karrierës suaj?

Në moshën 27-vjeçare jam në kulmin e karrierës, pasi mendoj se kam grumbulluar përvojën e duhur. Kam përjetuar gjithfarë momentesh në fushë dhe kam fituar disa trofe.

Milanit i jam mirënjohës për këtë mundësi. Kam uri dhe dëshirë për t’u rritur më tej, ndaj dua t’ia shpërblej klubit duke u shprehur në maksimumin tim. E di që jam në një shoqëri ambicioze, e cila ka të njëjtën dëshirë për sukses si edhe unë. Ndjesitë i kam pozitive, ndaj dua t’u tregoj të gjithëve se në çfarë skuadre kam ardhur. Mezi pres të nisë sezoni.

Si ju duket Milani nga brenda?

Klub i madh me histori të lavdishme. Kjo ndihet kudo në klub. Tifozët kanë ndjesi si të ne futbollistëve dhe këto që përmenda janë përbërës që ndihmojnë të fitosh ndeshje. Mezi pres të nisë sezoni sepse janë të gjitha kushtet për të arritur sukses.

Cili është objektivi që do të ndiqni?

Duhet të konfirmohemi kampionë të Italisë, dhe siç thotë Maldini, le të tentojmë yllin e dytë. Ma kanë shpjeguar rëndësinë e këtij  objektivi. Do të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë mbanë. Edhe sezoni nis në mënyrë shumë interesante.

Si ju duket fakti se do të konkurroni për formacionin me Zhirunë dhe Ibrën?

Për të fituar kampionatin duhet të kesh lojtarë të ndryshëm dhe ne kemi një grup shumë të fortë. Kjo është një nga arsyet pse doja shumë të vija edhe unë këtu. Ka shumë futbollistë të aftë. Zhiru është një lojtar i jashtëzakonshëm, po flasim për një kampion unik dhe të klasit të madh. Jam shumë i lumtur që jam këtu me të dhe me Zlatanin, i cili është një nga lojtarët më të mëdhenj në histori. Është një shembull që me mentalitetin dhe qëndrueshmërinë e duhur mund të luash përgjithmonë. Ai do të mbahet mend gjatë dhe për shumë breza. Fjalët nuk do të mjaftonin për të përshkruar gëzimin tim që mund të jem i rrethuar nga këta kampionë që ma lehtësojnë punën.

Cilët janë idhujt tuaj?

Jam rritur duke parë në “YouTube” video të kampionëve të mëdhenj si Ronaldo, Ueah, Pele, Maradona. I kam parë videot, sepse e dua futbollin e bukur, por jo se kam një idhull të veçantë. Loja e futbollit është kaq e bukur, aq e pasur me elementë.

Kampionati do të jetë edhe një duel me Lukakun, të cilin do ta përballni në derbi…

Unë dhe Lukaku njihemi që nga sfidat në sektorin e të rinjve, edhe pse kemi dy vite diferencë. Kemi luajtur shpesh kundër. Ai është një lojtar i madh. Jam i lumtur që konkurroj me lojtarë kaq të fortë dhe jam i lumtur që jam në Itali ku ka kaq shumë lojtarë të mëdhenj. Ndërsa përballesh me kampionët, niveli i lojës rritet dhe po kështu rritet edhe gëzimi për të luajtur ndeshje të caktuara. Derbi do të jetë një ditë e veçantë dhe ne të dy do të duam të fitojmë. Edhe atij i pëlqen të konkurrojë, por jam i sigurt se do ta bëjmë me respektin maksimal për njëritjetrin. Do të jetë një ndeshje e bukur.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook