Format i ri, Milani luan “rrok” në mesfushë/ Benaser e Tonali lider, ja kush pritet të jetë surpriza

Largimi i Frenk Kesit vështirë se do të kalojë pa u vënë re. Milani po mundohet ta zëvendësojë në mënyrën më të mirë, por misioni është i vështirë, sepse afrikani ishte një nga pikat kyçe të kampionëve të Italisë. Renato Sançes është emri i përfolur për ta pasuar, por ndërkohë, Stefano Pioli po mundohet të gjejë zgjidhje me lojtarët që i ndodhen.

Milan

PRITSHMËRITË – Nuk është risi, por një nga ata që do të duhet të ngjiten në katedër është Ismael Benaseri. Tri vite përvojë kuqezi, por pa arritur vazhdimësinë që bën diferencën. Algjeriani i lindur në Francë, ka përsëritur gabime të dukshme me ndeshje klasi. Cilësitë nuk i mungojnë, ndaj jo më kot, në konferencën e hapjes së sezonit, trajneri Pioli i parashikoi një rol vendimtar te kampionët e Italisë.

Klubi, ndërkohë, ka vendosur të mos e huazojë më Tomazo Pobegën. Elementët e vënë në dukje në një javë grumbullim i kanë bindur të gjithë se djali i shtëpisë është rritur. Mesfushor qendre, por me karakteristika krejtësisht të ndryshme nga çdo shok i repartit, ai mund të jetë alternuesi ideal për Tonalin.

Ndoshta nuk ka saktësinë e kolegut, por dinamizmi dhe mbulimi i distancave të gjata e bën të rëndësishëm për lojën e “Djallit”, por edhe për listën e Champions-it, ku nevojiten lojtarë të akademisë. Edhe nga ai pritet shumë dhe Pobega është gati të tregojë se te Specia dhe Torino është formuar me dimensionet e nevojshme për klube elitare.

RROK – Krah Benaserit, titullari tjetër në 4-2-3-1-shin milanist është Sandro Tonali. Numri 8 duhet të vërtetojë se sezoni i kaluar nuk ishte sporadik. Ishte ai që diktoi më së shumti ritmin e ekipit kampion Italie në vitin e kaluar. Vendimtar në daljet e fundit, 22-vjeçari tregoi se Milani nuk i shpenzoi kot thuajse 30 milionë euro për ta blerë përfundimisht verën e kaluar. Sivjet muzika e Champions-it do të kumbojë sërish dhe Tonalit do t’i kërkohet të dirigjojë.

Nëse do t’i nevojitet, përkrah do të ketë Mozartin. Të paktën kështu pranoi të mbiquhej Jasin Adli në ditën e prezantimit. Ai, ashtu si Tonali, ka përjetuar një rënie nga kategoria (me Bordonë), ndërsa në Milano duhet të vërtetojë se ishte investim i goditur. Pioli e përshkruan si një mesfushor që mund të përshtatet, ndaj nuk përjashtohet që falë tij, “Djallit” të luajë edhe me skemën 4-3-3.

Edhe në këtë rast, Pobega do të vinte në ndihmë për të alternuar shokët, ndërkohë që edhe Kruniç do të japë ndihmesën e tij, siç ka bërë gjithmonë. Me rivalet e përforcuara, sezoni do të kërkojë një ritëm rrok dhe te Milani janë gati. Pioli ka edhe një muaj kohë për të bërë prova.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI  – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×