Në ndeshjen me Dudelanzhin, Tirana u var nga sulmuesit.
Një gol që nuk u shënua në pjesën e parë duket se mbajti peng bardheblutë gjatë gjithë kësaj pjese dhe që solli më pas skualifikimin nga Champions League.
Devid de Silva luajti si titullar dhe pati fatin e ndeshjes në dorë, por dështoi. Në fund të sfidës, vetë trajneri Orges Shehi pranoi se mungesa e golit ndoshta ndikoi sfidën, edhe pse skuadra ishte komplet tjetër.
“Devidi sigurisht që nuk po kalon moment të mirë, por sulmuesit tanë dolën para portës. Kush është alternativa e Devidit. Duhet të kesh një alternativë tjetër, që kur Devidi nuk shkon mirë, ta hedhim në fushë.
Kemi Taulantin alternativë, por në majë ka vështirësi dhe kontributin e ka nga krahët. Nuk mendoj se kemi shumë alternativa për të bërë zëvendësime kokë më kokë”, tha Shehi.
Analiza është e qartë. Shehi u ka kërkuar drejtuesve të skuadrës një sulmues, i cili të jetë më i mirë se Devid de Silva. Jo vetëm për të mbuluar repartin e avancuar, por sepse skuadra kërkon lojtarë me peshë.
Sulmuesi është vetëm një kërkesë e stafit. Shehi ka kërkuar prej kohësh edhe një mesfushor dhe një lojtar për krahun e djathtë.
Për momentin, asnjë nga kërkesat nuk është plotësuar, por Refik Halili dha sinjalet që gjërat do të ndryshojnë dhe ekipi do të plotësohet me lojtarë të mirë. Afrimet dhe largimet – Dihet që Tiranës i janë larguar tre lojtarë me peshë, Erjon Hoxhallari, Majkëll Ngoja dhe Ardit Toli, si dhe sportistë të tjerë që nuk kishin hapësira.
Futbollistë që ishin titullarë sezonin e shkuar. Këtë verë janë afruar Aleksi, Hasani, Iseni dhe Hila, ndërsa vetëm ish-lojtari i Teutës ka luajtur titullar. Bardheblutë duan akoma futbollistë në organikë, por skuadra do të plotësohet ndoshta pas ndeshjes së parë të Konferencë Ligës.
Prej kohësh, Tirana kërkon lojtarë të mirë dhe që njihen, ndërsa nuk ka afruar asnjë sportist të huaj. Klubi po sheh edhe për lojtarë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Flasim për ata që mund të jenë pjesë e Tiranës.
Janë shumë emra në qarkullim, por nuk ka asgjë konkrete. Në këtë moment që flasim, 6.3 milionë euro është vlera e Tiranës në “transfermarkt”.
Te skuadra bardheblu, vetëm sulmi vlen 1,6 milionë euro, duke treguar forcën e kësaj skuadre.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…