Strakosha, bletari i Brentfordit/ Ja çfarë duhet të dini për klubin e 27-vjeçarit kuqezi

Pritjes i vjen fundi. Tomas Strakosha është portieri më i ri i skuadrës angleze të Brentfordit. Portieri i Kombëtares shqiptare është prezantuar me klubin anglez, për të startuar një aventurë të re në Premier Ligë.

Tomas

Strakosha do të mbajë veshur për 4 vite fanellën e Brentford, i cili u afrua me parametra zero pasi mbylli aventurën me Lacion dhe realizoi një nga ëndrrat e tij: aktivizimi në Premier Ligë.

FJALËT E PARA TË STRAKOSHËS

Prezantimi i portierit nga ana e klubit anglez është bërë nëpërmjet një videoje në rrjetet sociale, tashmë një trend i kohëve të fundit, ku marketingu patjetër që luan një rol të rëndësishëm. Përveç kësaj, Strakosha ka publikuar edhe një videomesazh për të gjithë tifozët e klubit të Premier Ligës. “Përshëndetje të gjithë ju tifozët e Brentfordit. Kënaqësi të jem këtu, jam shumë i emocionuar dhe shpresoj që të shihemi shpejt në stadium. Forca Brentford”, janë fjalët e portierit kuqezi.

TRAJNERI

Me afrimin e parë në ekipin e tij, trajneri i Brentfordit, Tomas Frenk, është shprehur me superlativa për 27-vjeçarin. Ai thotë se Strakosha është një portier me goxha eksperiencë që do ta vendosë në të mirën e ekipit. “Jam i kënaqur. Ai ka qenë numri një te Lacio për një kohë të gjatë, gjë që është shumë mbresëlënëse. Ka luajtur në Serinë A dhe garat europiane dhe do ta sjellë atë përvojë këtu me vete”, tha trajneri Tomas Frenk, pas prezantimit të portierit.

BRENTFORDI

Strakosha do të bashkohet me Brentfordin, i cili është një ekip i vendosur në pjesën perëndimore të Londrës. Historia e këtij klubi lidhet shumë shpejt me futbollin, teksa është krijuar në vitin 1889, 132 vjet më përpara. Stadiumi i tyre quhet “Brentford Community Stadium” dhe ka një kapacitet prej 17 mijë vendesh. Presidenti i ekipit është Methju Benhem, me një pasuri neto prej 20 milionë dollarësh. Ai ka gjithashtu në pronësi edhe ekipin e Midtlandit në Danimarkë. Ndërkohë, Strakosha do të vihet nën urdhrat e trajnerit Tomas Frenk, ish-futbollist danez.

Strakosha

Rivalët e Brentfordit ndër vite janë Fulhemi dhe QPR. Arritja më e madhe e kësaj skuadre është vend i 5-të në Premier Ligë, në sezonin e largët 1935-1936. Ndërsa trajneri i portierëve që do të stërvisë shqiptarin është spanjolli Manu Sotelo, ishlojtar i Selta Vigos. Sezonin e kaluar Brentfordi e përfundoi kampionatin në vendin e 13-të, me 46 pikë. Shqiptari i dytë – Përveç Strakoshës, pjesë e skuadrës së Brentfordit është edhe shqiptari tjetër Roi Sula, i cili aktivizohet tek ekipi B. Sula luan si mesfushor dhe është grumbulluar edhe në ekipin Shpresa në ndeshjet e fundit. Kështu, Tomas do të gjejë edhe një shqiptar tjetër te klubi anglez.

Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×