Në përfundim të sezonit të fundit, Partizani humbi edhe shërbimet e sulmuesit brazilian Stenio Zhunior, i cili rezultoi efikas para një viti në suksesin që “demat” arritën në turin e parë të Ligës së Konferencës ndaj Sfintulit.
Falë katër golave që Zhunior shënoi vjet ndaj moldavëve, dy në fitoren 5-2 dhe dy në fitoren 3-2 në transfertë, Partizani përfitoi 550 mijë euro nga UEFA. Ndërsa në këtë edicion të Ligës së Konferencës, të kuqve u munguan shumë golat e sulmuesit brazilian, i cili la Partizanin për të vijuar karrierën në Tajlandë.
Në një komunikim me ndjekësit e tij në “Instagram”, Zhunior u është përgjigjur pyetjeve, ku nuk ka munguar dashuria dhe respekti për shokët e skuadrës dhe tifozët, por nuk ka kursyer thumbimet për drejtuesit. Madje, marrëdhëniet me këta janë bërë shkak për mosrinovimin e kontratës, arsye të cilat lojtari asnjëherë nuk ka pranuar t’i bëjë publike, në respekt të fanellës që ka mbajtur veshur dhe klubit.
I pyetur se pse e la Partizanit pas përfundimit të sezonit, ish-sulmuesi i të kuqve u përgjigj: “Kam shumë arsye”. Ndërsa pyetjes se a keni qenë i kënaqur me skuadrën e Partizanit, 31-vjeçari dha këtë përgjigje thumbuese: “Nëse më pyesni rreth lojtarëve, them po”.
Golin më të bukur me Partizanin sulmuesi brazilian ka zgjedhur atë që i ka shënuar Kukësit, gol të cilin e shoqëron me një ikonë rakete. Stenjo Zhuniorit i është kërkuar që të japë mendimin e tij edhe për tifozët e kuq, “Ultras Guerrils”. Sipas tij, ultrasit e kuq janë më të mirët në Shqipëri.
Edhe pse prej javësh është transferuar në Tajlandë, Zhunior ka treguar se e ndjek Partizanin, ku ka dhënë mendimin e tij për ndeshjen e kthimit në Ligën e Konferencës, ku “demat” u eliminuan nga gjeorgjianët. “Saburtalo luajti më shumë si kolektiv dhe në fund mori rezultatin që dëshironte”. Ky ishte përkufizimi i dhënë nga Zhunior në lidhje me sfidën e fundit të Partizanit ndaj Saburtalos.
Ndaj ish-sulmuesit të kuq nuk kanë munguar edhe pyetjet dhe oferta nga tifozë të Vllazninë, ku braziliani ua ka bërë të qartë se zgjedh Partizanin para kuqebluve. Madje i është kërkuar që të shkonte në Shkodër dhe të formonte një dyshe “të çmendur” me Latifin, por përgjigja e tij ishte se ai ishte thuajse i tillë, “i çmendur”, te klubi ku po aktivizohet në Azi.
Arena e Lajmit

Loading…