
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka paralajmëruar një padi në SPAK për keqmenaxhimin e kaskadës së Drinit.
Gjatë fjalës së saj në Parlament Tabaku ka akuzuar OSHE se ka abuzuar duke nënshkruar kontrata me shifra marramendëse për buxhetin e shtetit.
Fjala e plote
Të nderuar kolegë, ato pak kolegë që kanë mbetur këtu në sallë dhe kanë interes për të dëgjuar për çështjet që debatohen sot.
Në fakt nuk isha në fillim të kësaj seance, por nuk mund të rri dot pa thënë sesa keq ndihesh; e kam provuar në kurrizin tim në fakt, që sa herë ke një argument kundër qeverisë sulmohesh, linçohesh, fillon bëhesh preja e radhës; fillon kushdo që është ulur këtu në krye të sallës së parlamentit të thojë çfarëdolloj mendimi me apo pa të drejtë.
Nuk e kam lexuar të them të drejtën marrëveshjen që ka ardhur këto ditë për çështjen e Butrintit, por vlerësoi çdo koleg që bënë opozitë me çështje, me kauza, me argumente dhe më duket e papranueshme që në këtë sallë, ai që ka qenë anëtar i Partisë Komuniste dhe ai që me nder rreh gjoksin që vjen nga kjo parti, na flet ne për tufa, ai që në fakt është kryetar i një tufe e sot fatkeqësisht na qeveris.
Unë do të kisha pasur dëshirë që të flisja edhe për çështjen e krimeve të komunizmit, edhe çështjen e të dhënave personale, por duke qenë se çështjet u ezauruan nga kolegët, vendosa që të flas për çështjen e energjisë, një çështje për të cilën që nga shtatori i vitit të kaluar bashkë me një grup kolegësh në Partinë Demokratike e kemi ngritur si shqetësim. Në fakt e kemi ngritur që në vitin 2014, kur çmimi i energjisë elektrike u rrit për pothuajse 550 mijë familje shqiptare. Është një çështje që prek xhepat e çdo qytetari çdo ditë, është një çështje debati mes biznesesh dhe çështje të cilën sot ka edhe një padi në SPAK. Po në SPAK; kam shumë dëshirë që ta them: një padi e prezantuar atje me shifra dhe fakte për atë që ka ndodhur me menaxhimin e Kaskadës së Drinit?? gjatë periudhës së krizës.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë kemi diskutuar borxh pas borxhi, rasti pas rasti, kredi për sektorin e energjisë; një pjesë e Eurobond-it u morr për sektorin e energjisë; kur u diskutua buxheti i vitit të kaluar përsëri kishim fond garancie për sektorin e energjisë. Në qoftë se ka një sektor problematik sot, i cili vuan jo vetëm nga kreditë, por njëkohësisht edhe nga garancitë që janë vendosur për këtë sektor për të marrë kredi, garanci që nuk llogariten si pjesë e borxhit, është sektori i energjisë elektrike. Sot OSHEE është një nga shpenzuesit më të mëdhenj të kësaj qeverie, pas Ministrisë së Shëndetësisë që për arsye të qarta, ka shpenzuar gjatë kohës së pandemisë, OSHEE është një prokuruesit më të mëdhenj, por nga ana tjetër është një nga institucionet që ka transparencën më të ulët. Nuk publikohen as raportet vjetore si në çdo institucion tjetër. Nuk ka transparencë të procedurave të prokurimit. Pothuajse 99% e procedurave janë me një konkurrues, pra është një sektor i cili vuan nga një abuzim i jashtëzakonshëm
Me një grup kolegësh këtu, kemi qenë edhe në Komisionin Hetimor për sa i përket çështjes së privatizimit të CEZ; ku kemi nxjerrë në fakt të dhëna shumë tronditëse, për të cilat unë kisha shpresuar që drejtësia do të kishte folur se si u shpenzuan 625 milionë Euro me një marrëveshje të dyshimtë, e cila në vitin 2014 shkaktoi një kosto të jashtëzakonshme për Buxhetin e shtetit. Këto u harruan, e ndërkohë vimë këtu dhe dëgjojmë ministra që vinë e na thonë se punojnë për popullin. Shprehja se “punoni për popullin”, kjo shprehje e vjetër komuniste që i shkon kaq mirë për shtat kësaj qeverie në fakt. E kisha harruar; por vinë ministra dhe i thonë qeverisë: punoni ju për popullin. Ndërkohë që ministrat i dëgjojmë këtu që vetëm sulmojnë, që shajnë, që në fakt edhe bilancin e arritjeve e kanë aq të mangët sa që gjithmonë në çdo fjali që thonë kanë vetëm opozitën si shprehje të tyre.
Në raportin e paraqitur nga ERE nuk ka asnjë analizë për borxhin e sektorit elektro-energjetik që unë besoj se duhet të ishte diskutimi kryesor sot këtu; ashtu siç nuk ka asnjë analizë për një sërë projektesh të rëndësishme, të cilat duhet të ishin diskutuar. Sot ne kemi dhënë 3 kontrata inceneratorësh për të cilët paguajmë 90 mijë euro në ditë; tre kontrata abuzive, të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 430 mln euro, për të cilat paguajmë 90 mijë euro në ditë, që duhet të prodhonin energji dhe që nuk prodhojnë energji, të paktën sipas llogarive, por dhe nuk tregtojnë energji edhe sipas llogarive të raporteve të ERE.
Sot doja të besoja që kolegët të kishin folur këtu edhe për format alternative të energjisë, për sa e sa tendera për parqet fotovoltaike, për kushedi sesa koncesione të dhëna në këtë sektor të gjitha të dështuara, por doja që të besoja që të paktën do të kishin njohur që nëse sot 1/3 e energjisë elektrike prodhohet në vend është si rezultat i një strategjie të marrë përpara 2013-ës, një strategjie nga e cila sot po përfiton tregu shqiptar.
Të ishte për qeverinë shqiptare do i linin bizneset shqiptare ashtu siç i kanë lënë, pa asnjë vendim të Entit Rregullator dhe në fakt ky është një shqetësim për të cilin dua që edhe Enti Rregullator në të ardhmen të na kthejë përgjigje; me një çmim të rritur të energjisë nga 11 në 18 lekë/kËh??, pa asnjë vendim të ERE-s për 7500 biznese, të cilat sot në zinxhir kanë rritur çmimet për të gjitha produktet dhe mallrat e konsumit në treg. Këto shqetësime shpresoj që ti dëgjojë dhe nga kolegët socialistë.
Faleminderit!