Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë në Elbasan, ku një 52 vjeçare vrau veten duke u hedhur nga ballkoni i banesës ku jetonte.
Gazetari Fatmir Popja raporton për BalkanWeb se viktima është identifikuar si Fatbardha Likrama, nënë e tre fëmijëve. Ajo kishte denoncuar më parë në polici se kishte konflikte të dhunshme në familje nga bashkëshorti dhe vjehrra e saj.
Mbrëmjen e djeshme mësohet se policia kishte qenë në banesën e viktimës, ndërsa ajo ishte larguar tek motra e saj. Ditën e sotme, pak para aktit të vetëflijimit, ajo ishte rikthyer sërish.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Informacion paraprak
Më datë 04.05.2022, rreth orës 13:00, në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, është hedhur nga kati i tretë i pallatit dhe për pasojë ka ndërruar jetë shtetasja F. L., 52 vjeçe.
Nga verifikimet e para rezulton se kjo shtetase vuante nga depresioni.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.