
Reperi i mirënjohur Post Malone do të bëhet baba së shpejti. Ai dhe e dashura e tij prej shumë vitesh do mirëpresin në jetë fëmijën e tyre të parë.
“Jam i emocionuar për këtë kapitull tjetër në jetën time, jam më i lumtur seç kam qenë ndonjëherë”, tha reperi 26-vjeçar për TMZ. “Koha për t’u kujdesur për trupin tim, familjen dhe miqtë e mi, dhe të përhapim sa më shumë dashuri çdo ditë”, shtoi ai.
Ylli i nominuar për “Grammy”, emri i vërtetë i të cilit është Austin Richard Post, organizoi një festë në Kaliforninë Jugore fundjavën e kaluar për bebushin e tij teksa e dashura e reperit ka qëndruar larg vëmendjes dhe dyshja janë të lumtur duke e mbajtur lidhjen e tyre private.
Autori i “Rockstar” javën kaluar zbuloi datën e publikimit të albumit të tij të ardhshëm “Twelve Carat Toothache” që lançohet më 3 qershor. Në një intervistë për Bollboard, Post tha se albumi arrin në 45 minuta muzikë të re efikase, pasi ai synonte të shmangte çdo lloj materiali mbushës. Ai tha se këngët në disk flasin më shumë për atë se si ndihem në këtë moment: uljet dhe ngritjet, rrëmujat dhe aspekti bipolar i të qenit një artist.
Post tha se ai zgjodhi artin në vend të komercializmit për ta mbajtur numrin më të ulët të këngës në albumin e ardhshëm. “Të provosh të fusësh 20 deri në 25 këngë, nuk funksionon”, tha ai.
Aktualisht nuk dihet gjinia e fëmijës.