Epoka e Zan Rragamit… (PJESA V)

SPECIALE NGA BESNIK DIZDARI
KAPITULLI V
PROLOGU I TRAJNERIT 31-VJEÇAR .
I larguar nga fusha e blertë si lojtar, 31–vjeçari Zan Rragami shndërrohet rrufeshëm në trajner. Kishte qenë sa lojtar, po aq edhe trajner në fushën e lojës. E caktojnë trajner të dytë të Vllaznisë, merret me mend, edhe me nxitjen e mësuesit të tij të paharrueshëm Xhevdet Shaqiri, njeriu i cili kishte qenë edhe trajner i Zan Rragamit në fitore të pashlyeshme: kampion i Shqipërisë në 1972 e 1974, fitues i Kupës në 1972. Tash e mbrapa do t’i mbërrinte këto suksese duke qenë trajner. Dhe në historinë e futbollit shqiptar ai do të ishte një nga trajnerët e dytë më fatlumë. Kampion me Vllazninë 1978, fitues i Kupës së Shqipërisë në 1979. Dhe me bujën e madhe të rikthimit të klubeve shqiptare në Kupat e Europës në 1978 përmes fitores së bujshme të skuadrës së tij 2-0 me Austria për Kupën e Kampioneve.

Vllaznia – Kampione e Shqipërisë 1983 me trajner Zan Rragamin. Lart nga e majta: trajneri i dytë E.RRAKIQI, F.RRAGAMI, F.FAKJA, B.PALI, F.JERA, H.DEDJA, S.GRUDA, L.VUKATANA, H.ZMIJANI, trajneri Z.RRAGAMI. Ulur nga e majta: V.BRIZA, F.PAÇRAMI, G.BOSHNJAKU, F.BORSHI, I.SUKAJ, A.HAFIZI, GJ.KUSHE, A.BUSHATI, S.ÇANGA.

Vllaznia – Kampione e Shqipërisë 1983 me trajner Zan Rragamin. Lart nga e majta: trajneri i dytë E.RRAKIQI, F.RRAGAMI, F.FAKJA, B.PALI, F.JERA, H.DEDJA, S.GRUDA, L.VUKATANA, H.ZMIJANI, trajneri Z.RRAGAMI. Ulur nga e majta: V.BRIZA, F.PAÇRAMI, G.BOSHNJAKU, F.BORSHI, I.SUKAJ, A.HAFIZI, GJ.KUSHE, A.BUSHATI, S.ÇANGA.

Modestia e tij shembullore që e kishte shoqëruar gjithë jetën e tij të futbollistit të madh, nuk e lejonte të nxitonte e të nxirrte gjoksin para mësuesit të tij të çmuar Xhevdet Shaqiri. Po kontributi i tij do të ishte tejet i dukshëm. Për këtë mund të tregojnë futbollistët “e tij” të asokohe. Çudia e madhe ishte se do të ishte trajner edhe i dy të mëdhenjve të tjerë – bashkëshokë të tij – Din Zhega e Sabah Bizi! Për një çast të dukej se treshja magjike Rragami – Zhega – Bizi e fushës së blertë ende nuk ishte prishur, teksa ata, ndonëse nuk ishin më në ndeshje të tre së bashku, ishin po kaq pranë njëri-tjetrit në fushën e stërvitjes. E, trajnerit Shaqiri i dukej se e kishte po gjithnjë të tijën, ashtu të bashkuar, treshen madhështore.

Do të ishte interesante të zbulonim sot se si sillej Rragami me dy shokët e tij gjatë stërvitjes, por edhe me shokët e tjerë, teksa trajneri i parë, profesor Xhoda, siç thirrej, qëndronte disi te vija anësore e fushës, ndërsa Rragami përshtatej bukur e mirë me veprimet stërvitore të lojtarëve brenda kufijve të fushës.

Nuk vonon fort dhe kur mbërrin viti 1980, Rragami është trajneri i parë i Vllaznisë, me të cilën arrin vendin e tretë në kampionat. Do të ndërrohet me Medin Zhegën e Esat Rrakiqin, tash edhe ata trajnerë të rinj, të cilët i japin Vllaznisë Kupën e Shqipërisë 1981.

E mandej një histori tjetër po në rolin e trajnerit të dytë, që krejt papritmas do të vazhdojë me Kombëtaren e 21-vjeçarëve të Shqipërisë. Shqipëria – kampione e Ballkanit në 1978 dhe 1981. Trajneri është Shyqyri Rreli, një fisnik i shquar i Tiranës.

Po niste kështu historia e rrallë e Shqipërisë së 21-vjeçarëve. Mbas 32 vjetëve të titullit kampion i Ballkanit në 1946, mbërrin titulli i dytë i kampionit të Ballkanit, por tash për 21-vjeçarët. Historia fikson ditën e 16 dhjetorit 1978, kur Shqipëria e 21-vjeçarëve triumfon bujshëm 7-1 kundër Rumanisë, duke përmbysur humbjen në ndeshjen e parë 1-3 në Bukuresht. Përcaktojnë tre gola të Dash Bajazitit, i cili kishte shënuar edhe golin e fitores në Greqi.

Trajneri Shyqyri Rreli dhe ndihmësi i tij Zan Rragami kanë në përbërje Mustën, K.Hysin, Starovën, H.Gegën, Kolën, H.Ballgjinin, Bajazitin, Markon, Vukatanën, Likën, Mingën, Sh.Ballgjinin, Tolën, F.Rragamin, Lleshin, Bonin. Ndërkaq, nja 30 muaj më vonë – Vollos i Greqisë, 25-27 qershor 1981 – dhe Shqipëria gjithnjë e drejtimit të Rrelit e Rragamit, e cila fiton titullin e dytë të kampionit të Ballkanit për 21-vjeçarët. Janë Musta, Kuqi, Musaj, Targaj, Dedja, Popa, Meta, Sh.Muça, Canaj, Mançe, Vila, Luçi, Lika, Tomori. Dy ndeshje të vetme dhe dy fitore: 4-1 Rumanisë dhe 2-1 Bullgarisë, duke mos u përmbajtur Lika e Luçi shënues të nga 3 golave.

Partia fort e entuziazmuar në ato vite të një izolimi të pashembullt, si të thuash brenda disa çastesh, urdhëron ta dekorojë Shpresën me titullin “Mjeshtër i Sportit”. Natyrisht pa parashikuar askush se vetëm mbas 1 viti, do të shpërthente një Shpresë tjetër, jo në Ballkan, por tashmë në Europë. Do të ishte një shpërthim deri në garë me shtete të sprovuara futbollistike me Gjermaninë në krye. Dhe aso radhe jo me trajnerin e dytë Rragami, por me trajnerin e parë Rragami.

VLLAZNIA E TRAJNERIT RRAGAMI – KAMPIONE E SHQIPËRISË 1983.
… Çka në të vërtetë ka nisur në 1982. Kam vetëm disa muaj që jam emëruar kryeredaktor i gazetës “Sporti popullor”. Natyrisht nga Partia, dihet komuniste, e quajtur e Punës, detyrë në të cilën më çoi popullariteti i madh i rubrikës sportive të së përditshmes “Bashkimi” – vepër e tre kryeredaktorëve të mi të paharrueshëm: Niko Nishku, Arqile Aleksi dhe Hamit Boriçi. Partia, e cila, për ata që kanë harruar ose bëjnë sikur kanë harruar, e që asokohe nuk dihet se ku kanë qenë të strukur, e të cilët kujtojnë se jeta e tyre “e ndritur” ka filluar vetëm këto ditë, kujtojmë se kishte gjithçka në dorë: pushtetin, popullin, ekonominë, ushtrinë, sportin, gjithë shtypin, gjithë Shqipërinë.

Do ta nisja këtë detyrë pa parashikuar se në faqet e saj radhazi do të drejtoja përshkrimin e ngjarjeve të mëdha të sportit e futbollit shqiptar. Nga ana tjetër, mbas shumë e shumë vitesh të injorimit të emrave të trajnerëve të skuadrave, duke filluar nga marsi 1982, do të vendosja që në formacionet e skuadrave të mos mungonin më emrat e trajnerëve. Kishin munguar për gati 40 e më vjet! Kështu, duke nisur nga ky vit 1982, për herë të parë dhe asnjëherë më, nuk do të mungonin skedat e plota të formacioneve të ndeshjeve të kampionatit të Shqipërisë.

Mbërrij te numri i gazetës së 24 gushtit 1982 dhe ndal te skeda e ndeshjes së 22 gushtit 1982, ajo Naftëtari – Vllaznia, dita e parë e kampionatit 1982-‘83, ku trajner i parë i skuadrës shkodrane është pikërisht Zan Rragami. Pamja e Vllaznisë së tij është kjo:

NAFTËTARI – VLLAZNIA 3-4
VLLAZNIA: Kushe, Zmijani, Çanga, Jera, Dedja, F.Rragami, Hafizi, Gruda, Fakja (Luçi), Paçrami, Golemi.
TRAJNER: R.Rragami.
SHËNUESIT: Koçi 8’, 20’, Hafizi 57’, 63’, Luçi 65’, 75’, R.Gega 85’ (11-m).

Mandej, në javën 13, fund i fazës së parë të kampionatit, Vllaznia fiton 3-0 me Besëlidhjen dhe për herë të parë është në krye me pikë të barabarta me 17 Nëntorin. Nga 17 pikë secila të ndjekura me vetëm 1 pikë më pak prej Lokomotivës, Partizanit, Flamurtarit – çka do të thoshte se për titullin luftonin plot 5 skuadra! Vllaznia e Zan Rragamit zbret në vendin e dytë në javën 17, do të ngjitet në krye në javën 21, zbret në atë 22 dhe përfundimisht ngjitet në javën 23 për të mos zbritur më. Më 1 maj 1983 skuadra e Shkodrës shuan dëshirat e Partizanit me një 4-1 rrokullisës në “Vojo Kushi”, ku nuk përmbahet Vukatana me dy golat e tij, pa harruar dy të Jerës e Grudës.

Trajneri Rragami nuk fluturon, ruan sa gjakftohtësinë, sa dhe modestinë. E kupton si pakkush baraspeshën e këtij kampionati të rrallë. Ai ndalet te renditja, të cilën edhe pse e kryeson, i duket e një pamjeje vërtet tronditëse: Vllaznia 31 pikë, Partizani 31, 17 Nëntori 31, Luftëtari 29, Flamurtari 28! Ky është kampionati 1982-1983 i plot 14 skuadrave në ndeshjet e të cilit në stadiume nuk ka asnjë vend bosh.

Më 22 maj në Shkodër mbërrin 17 Nëntori dhe fiksohet një 2-2 sa dramatik aq dhe spektakolar, madje është Vllaznia që barazon falë 11- metërshit të Ferid Rragamit dhe gjithnjë kryeson për golavarazh: Vllaznia 32, Partizani 32, 17 Nëntori 32 kur kanë mbetur 90 minutat e fundit. Do të jetë vetëm tri ditë më vonë, 25 maj 1983, dhe në Berat kemi Tomori – Vllaznia 0-2, në Tiranë Partizani – Dinamo 2-1. Por është kryeqyteti që fikson “diçka” krejt tjetër: 17 Nëntori – Labinoti 1-2! Është “i pamëshirshmi” Labinoti i Elbasanit edhe pse ndodhet në vendin e 9-të! Shënojnë Roseni dhe Mustafaraj.

Vllaznia është kampione e Shqipërisë me pikë të barabarta me Partizanin, por me 5 gola më tepër në golavarazh. Zan Rragami fitonte për herë të parë një kampionat të Shqipërisë, duke qenë ai trajneri i parë i skuadrës. Kishte fituar një nga kampionatet më dramatike, më të bukura, më spektakolare që mbahej ndonjëherë ndër mend në Shqipëri. Fliste vetë renditja ndër më të rrallat në histori:

sadsadasdasda

Vështrojeni me vëmendje të madhe këtë renditje, që më pëlqen ta simbolizoj me kujtimin e madh dhe të pashlyeshëm të Zan Rragamit. Nuk janë vetëm kryesuesit në një baraspeshë të jashtëzakonshme, por janë të 14 skuadrat. Është unikale. Bëni po të doni një krahasim me të sotmin e 10 skuadrave. E shihni që sot në kampionatin e vitit 2022, nga ai 1983 i shekullit të shkuar, Shqipërisë i mungojnë Vlora, Gjirokastra e Elbasani, Berati, Kavaja apo Lushnja. Ky është mjerimi i historisë.

Por të qëndrojmë tek epoka e Zan Rragamit tonë të paharrueshëm.

E ka drejtuar Vllazninë – natyrisht edhe me mbështetjen e shokut të tij të hershëm, trajnerit Esat Rrakiqi – me një qetësi absolute e me një mendim modern, ndonëse rrjedha e ngjarjeve nuk ta lejonte fort këtë qetësi. Ia kishte arritur të kompozonte një 11-sh parësor në harmoni të plotë: Kushe, Zmijani, Çanga, Pali, Dedja, F.Rragami, Jera, Hafizi, Vukatana, Luçi, Gruda. Dhe me një skalion të dytë, i tani pranë të parit, çka nuk e pati asnjë skuadër tjetër: Boshnjaku, Sukaj, Shaba, Fakja, Paçrami, Borshi, Briza, Bushati, Golemi. Nga këta djem, e pakta 10 prej tyre do të mbërrinin te fanellat e kombëtareve të Shqipërisë. Ia kishte arritur të drejtonte një Vllazni gjithnjë të freskët, të një teknike të lartë për traditën e saj, mbi të gjitha duke e përtërirë. 22.8 vjeç mosha mesatare, pa harruar shtatlartësinë mesatare 1.77 metra. Ky trajner i cili kishte hyrë 17-vjeçar në futbollin e të rriturve, shtatlartë dhe tejet elegant me fizikun e tij skulptural, si pakkush e dinte, e kuptonte se çka qe rinia dhe shtatlartësia për një skuadër moderne.

Assesi nuk mund të harrohet se ajo ishte një Vllazni së cilës i mungonte tashmë edhe një Zhegë, edhe një Biz. Zan Rragami ia kishte arritur t’i jepte skuadrës një elasticitet sulmues që prodhonte golat atje ku nuk pritej. Kampionia e tij nuk kishte një lider të golit. Jo. Liderin e kishte Besa e Kavajës – skuadra e 11-të, me Dash Bajazitin e 16 golave. Trajneri shkodran kishte mëkuar shënimin që vinte prej shumë anëve: 9 gola Ferid Rragami, 8 Gruda, 6 Hafizi, 5 Luçi…

Shqipërisë po i formohej një trajner i madh. Emri i tij ishte Zan Rragami.

ZAN RRAGAMI DHE SHQIPËRIA E TIJ EUROPIANE E 21- VJEÇARËVE.
Sot, në 2022, jemi në një vit jubilar të historisë së futbollit shqiptar. Jemi në 40-vjetorin e lindjes së Shqipërisë më të famshme të 21-vjeçarëve, asaj Shpresa, siç quhej. Autori i ndërtimit apo i ngritjes së saj e ka emrin Zan Rragami. E mos kujtoni se harroj shokun e tij, trajnerin e dytë, Petraq Ikonomin. Përbënin një dyshe që fort rrallë një Kombëtare shqiptare e çdo rangu e kishte pasur. Asnjëri nuk ishte nga kryeqyteti – Tiranë. I pari nga Shkodra, i dyti nga Durrësi. Të dy mirëfilli universitarë. E, Shkodra deri me Zan Rragamin nuk kishte pasur asnjëherë një trajner për një Kombëtare. Ata duhej të ishin “detyrimisht” nga kryeqyteti – Tiranë.

Do të mbërrijmë kështu te dita e 21 shtatorit 1982 dhe në stadiumin e qytetit Mürzzuschlag të Austrisë, Shqipëria 21-vjeçare fiton 2-1 ndeshjen e saj të parë për Kampionatin e Europës. Kjo është absolutisht për sot e kësaj dite fitorja e parë e jashtëfushës për Kampionatet Europiane dhe Botërore për një kombëtare të të dyja rangjeve më të larta të Shqipërisë. Edhe kjo i takon trajnerit Zan Rragami. Duke shkuar te historia e Kombëtares së parë, shënojmë se ajo fitoren e parë të jashtëfushës për kualifikimet euro-botërore e ka arritur vetëm 13 vjet mbas asaj të Rragamit. Ka qenë viti 1995: Moldavia – Shqipëria 2-3 për Kampionatin e Europës. Trajneri është Neptun Bajko, sot një ndër analistët më të matur në gazetarinë e shkruar. Për fat, bashkëlojtar me Rragamin në 1968 në fitoren madhështore 1-0 të Partizanit me Torinon e Italisë.

Dhe rekordet e Zan Rragamit që vazhdojnë më tej!…

Për çudi, fitorja austriake e Kombëtares 21-vjeçare të Zan Rragamit nuk bëri shumë bujë asokohe. Ndonëse shkrimin për të e vendosa në faqen e parë të gazetës, me këtë titull disi burokratik, disi afirmues: “Vazhdimësia e lojërave dhe fitoreve të bukura të Shpresës…”. Titull që lidhej me titullin tjetër, atë të shkrimit të humbjes së Kombëtares së parë 5-0 po me Austrinë, që thoshte “…Duhet përçuar edhe në ekipin kombëtar”.

Ishte shembulli i Shpresës e cila po bëhej vërtet një Shpresë. Ndonëse në këtë fitore askush nuk do të parashikonte se kjo Shqipëri 21-vjeçare do të renditej e para e turneut të këtij grupi të Europës, duke mos iu dorëzuar një Gjermanie, një Austrie, një Turqie…

Ndeshjet e saj, fitoret e saj do të vinin si një katarakt më se i rrëmbyeshëm. Mendojeni për një çast: asnjë humbje në të 6 ndeshjet. Më saktë: 4 fitore dhe vetëm 2 barazimet me gjermanët. Kanë kaluar 39 apo 40 vjet, por deri më sot këto rezultate nuk janë arritur më prej asnjë Kombëtareje tjetër të Shqipërisë. Pra, as me Kombëtaren e madhe finaliste të Europianit, të Gianni De Biasi-t. Është vetëm skuadra e Zan Rragamit.

Nuk e kam pushuar asnjëherë pendën, as tastierën e makinës së shkrimit dhe as këtë të kompjuterit nga dora tash 40 vjet për këto arritje, për ato ndeshje të pashlyeshme. E, sa herë takohesha me Zanin, ishte e pamundur të mos ia kujtoja. Kjo, edhe për fatin e madh të epilogut kualifikues sensacional të Gjermanisë 1983, ku isha gazetari i vetëm i pranishëm. Mos harroni: Zan Rragami me Shqipërinë e tij janë të vetmit që kanë eliminuar një Gjermani. E them këtë për ata që kujtojnë se Shqipëria e vogël është qendra e botës, tek krekosen. Sidomos qeveritarët tanë, që nxjerrin gjoksin pa bërë asgjë edhe para të mëdhenjve të Europës. Zan Rragami asnjëherë!

Po i përmbledh këtu të 6 ndeshjet me formacionet e plota për herë të parë të bashkuara në një me kundërshtarët. Dihet, nuk ka “komentues” më kuptimplotë sesa skedat rezultative të ndeshjeve të futbollit. Tek janë për t’i pasur lexuesit e mi të çmuar, padronët e vetëm që ka gazetari i vërtetë, siç thoshte Indro Montanelli. Natyrisht, për t’i pasur pra, edhe vetë gazetarët e sotëm, sidomos ata të brezit të ri, por edhe kronistët, e natyrisht edhe plagjiatorët apo kopjuesit. Ndonëse për këta të fundit më dhimbet arkivi im. Por kjo është temë për një herë tjetër…

Ja pra, historia europiane në skeda e Zan Rragamit dhe e lojtarëve të tij:

21 shtator 1982. Muezereshlag (Austri).
AUSTRIA – SHQIPËRIA 1-2
SHQIPËRIA: Mersini, Zmijani, Hodja, Bimo, Ocelli, Canaj, Demollari, Jera, Josa (Noga), Vila, Topçiu.
TRAJNER: R.Rragami.
AUSTRIA: Volfarht, Hörmann, Messlender, Nuart (Frind), Linzmaier, Metzler (Winterbacher), Fonaker, Werner, Willfurth, Hrstic, Feler.
TRAJNER: K.Ritter.
GOLAT: Canaj 8’, Vila 37’, Hrstic 44’.
GJYQTAR: Rezniczek (Çekosllovakia).

26 tetor 1982. Manisa (Turqi).
TURQIA – SHQIPËRIA 0-1
SHQIPËRIA: Mersini, Zmijani, Hodja, Jera, Ocelli, Canaj, Demollari, Popa, Topçiu, Skuro, Vila.
TRAJNER: R.Rragami.
TURQIA: Mustafa, Myjdat, Jusuf, Husnej, K.Senol, Ismail, Bulent, Husein (Erdi), Mustafa, Murat (Alpaslan), Fejzulla.
TRAJNER: E.Kural.
GOLAT: Topçiu 73’.
GJYQTAR: Petrovic (Jugosllavia).

29 mars 1983. Shkodër. St. “Vojo Kushi” (Shqipëri).
SHQIPËRIA – RF GJERMANE 1-1
SHQIPËRIA: Mersini, Zmijani, Çanga, Noga, Ocelli, Canaj, Demollari, Jera, Vila, Topçiu (Liti 86’), Josa.
TRAJNER: R.Rragami.
RF GJERMANE: Vollborn, Hönerbach, Reinhardt, Schäfer, Winklhofer, Quaisser, Wuttke, Trieb, Reichert (Herbst), Mathy, Waas (Schön).
TRAJNER: B.Vogts.
GOLAT: Demollari 20’, Mathy 33’.
GJYQTAR: Szabo (Hungaria).

10 maj 1983. Tiranë. St. kombëtar “Q.Stafa” (Shqipëri).
SHQIPËRIA – TURQIA 1-0
SHQIPËRIA: Mersini, Zmijani, Hodja, Lekbello, Dedja, Canaj, Demollari, Jera, Josa (Kushta), Vila, Topçiu (Liti).
TRAJNER: R.Rragami.
TURQIA: Eser, Muzdat (Tuncai), K.Senol, Byniamin, Guven, Riza, Arif, Ibrahim, Bulent, Mustafa, C.Senol.
TRAJNER: E.Kural.
GOLI: Canaj 83’.
GJYQTAR: Teodoresku (Rumania).

7 qershor 1983. Shkodër. St. “Vojo Kushi” (Shqipëri).
SHQIPËRIA – AUSTRIA 3-0
SHQIPËRIA: Mersini, Zmijani, R,Kokalari, Ndreu, Ocelli, Liti, Demollari, Canaj, Vila, Muça, Topçiu (Josa).
TRAJNER: R.Rragami.
AUSTRIA: Neubauer, Hörmann, Auer, Tobin, Calinger, Linzmaier, Hrstic (Koschak), Werner (Schwicker), Kriegler, Niederbacher, Pacult.
TRAJNER: K.Ritter.
GOLAT: Topçiu 5’, 74’, Vila 73’ (11-m).
GJYQTAR: L. Györi (Hungaria).

19 nëntor 1983. Trier (RF Gjermane).
RF GJERMANE – SHQIPËRIA 1-1
SHQIPËRIA: Durimi, Zmijani, Hodja, Jera, Ocelli, Liti, Demollari, Canaj, Josa, Vila (Kushta 89’), S.Braho (Topçiu 60’).
TRAJNER: R. Rragami.
RF GJERMANE: Zimmermann – Schäfer, Herget, Falkenmayer, Steiner, Brunner, Schön (Storck 46’), von Heesen, Reichert (Thiele 67’), M. Rummenigge, Kuntz.
TRAJNER: B.Vogts.
GOLAT: M.Rumenige 38’, Josa 41’.
GJYQTAR: Kinu (Franca).

asdasdasdadddddd

TË GJITHA NDESHJET
GRUPI 6:
Austria – Shqipëria 1-2, Turqia – Shqipëria 0-1, Austria – Turqia 1-1, Shqipëria – Gjermania 1-1, Turqia – Gjermania 0-1, Austria – Gjermania 1-1, Shqipëria – Turqia 1-0, Shqipëria – Austria 3-0, Gjermania – Austria 2-1, Gjermania – Turqia 7-0, Turqia – Austria 5-0, Gjermania – Shqipëria 1-1.

“…Do të binte muzgu mbi Trier, po të rinjtë e qytetit nuk do t’i largoheshin autobusit të futbollistëve shqiptarë që pasi jepnin radhazi autografe, vinin një pas një… Qenë protagonistët, të cilëve trajnerët Ramazan Rragami e Petraq Ikonomi u kanë blatuar edhe mësimet e pedagogut, edhe dituritë e trajnerit këmbëngulës, edhe dashurinë prindërore…”.

Kështu shkrova nga Trieri në 1983 ku Zan Rragami dhe Shqipëria e tij kishte mposhtur Gjermaninë 21-vjeçare të emrave të tillë Falkenmayer, Wutke, Waas, Reinhardt, Herget, Kunz, M.Rummenigge, Steiner të cilët të gjithë do të vishnin fanellën e kombëtares së parë gjermane.

PËRCAKTIME LAKONIKE TË NJË VLERËSIMI TË MADH.
Nuk do të përshkruaj sot këtu hollësitë e këtyre ndeshjeve, sepse prej kohësh atë e kam bërë. Po më pëlqen vetëm të risjell një përcaktim lakonik dhe një gjykim teknik, po aq të shpejtë.

AUSTRIA – SHQIPËRIA 1-2! Çudia më e madhe ishte se te kjo fitore për kohën, sensacionale, Shqipëria e 21-vjeçarëve vinte pa ekzistuar në asnjë ndeshje për bukur 15 muaj! Për herë të fundit ajo kishte dalë në fushën e lojës më 27 qershor 1981 në Vollos të Greqisë, kur duke fituar 2-1 ndaj Bullgarisë ishte shpallur kampione e Ballkanit për herë të dytë. Dhe Austria – Shqipëria 1-2, e para fitore perëndimore e kësaj skuadre në histori.

TURQIA – SHQIPËRIA 0-1! Shkruan gazeta “Miljet”: “‘Shpresa’ shqiptare ndryshe nga shpresa turke zotëronte teknikë, luante me mendim, zhvillonte futboll të thjeshtë dhe të rrjedhshëm, kishte përgatitje fizike të mirë”. Gazeta “Hyrrijet: “Shqiptarët dinin të pasonin mirë, të mbroheshin e të sulmonin me shumë forca. Sidomos ata udhëhiqeshin nga parimi i lojës kolektive”.

SHQIPËRIA – RF GJERMANE 1-1! Është 1-1. Ndeshja e parë e Gjermanisë për Grupin 6 të Europës së 21-vjeçarëve, kur Shqipëria kishte luajtur dy ndeshje dhe i kishte fituar të dyja dhe mbante vendin e parë në grup. Nuk do ta lëshonte më kurrsesi. Ky është rasti i vetëm në historinë e futbollit kombëtaras shqiptar, që një Shqipëri do të kryesonte grupin e saj pa e lëshuar asnjëherë vendin e parë deri në fund të turneut. Është ndeshja e shkëlqyeshme e Sulejman Demollarit, autor i një goli të milimetruar që nis nga krahu dhe ndalon te rrjeta e portës gjermane. “Barazimi i sotëm e lë Shqipërinë pretendente”, thotë mendueshëm trajneri gjerman Berti Vogts. Ndërsa Hermann Neubergeri, presidenti legjendar i Federatës Gjermane të Futbollit: “Skuadra juaj më ka lënë shumë përshtypje. Keni sulm të mirë dhe një mesfushë të tillë. Kjo do të jetë Kombëtarja e ardhshme e Shqipërisë”.

SHQIPËRIA – TURQIA 1-0! Kësaj radhe jo në Shkodër, por në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Është vetëm 1-0. Një fitore e vështirë. Janë 83 minuta lojë të parezultat edhe për faktin e fuqizimit të shpresës turke me dy lojtarë, Arif dhe Ibrahim, të kombëtares së parë të Turqisë. Shpëtimtare bëhet minuta e 83-të, një sulm i lindur qysh nga portieri Mersini. Dhe mandej Zmijani – Demollari – Dedja – Vila – Canaj, një harmoni korale, gjuajtje e pagabueshme e Canajt dhe fitore e Shqipërisë 1-0.

SHQIPËRIA – AUSTRIA 3-0! Zan Rragami kishte guxuar të kishte në skuadër katër lojtarë të Vllaznisë së tij: Zmijani, Jera, S.Çanga, Dedja! Autor të shkrimit kisha caktuar Astrit Hafizin, më parë kapiten i Shpresës, natyrisht pa parashikuar kurrsesi se do të vinte një ditë dhe ai do të bëhej trajner i Kombëtares së Shqipërisë. Hafizi i jep një ton teknik përimtimi (analize) gjykimit të ndeshjes, teksa flet për “detyra taktike”; për “vendosje në fushën e lojës, duke i gjetur vendin secilit në përshtatje me lojën e kundërshtarit”.

RF GJERMANE – SHQIPËRIA 1-1! Ja si “folën” gazetat gjermane:
“Die Welt”: “1-1! Njëmbëdhjetëshi i juniorëve dështoi! Shqipëria e vogël me një goditje të menjëhershme ua mbylli derën gjermanëve”. “Jam mjaft i zhgënjyer, – thotë trajneri Berti Vogst, – sepse në këtë kampionat ne erdhëm si nënkampionë të Europës, ndërsa nuk arritëm as në çerekfinale. Kjo është mjaft e hidhur. Portieri i shqiptarëve ka kapur topa të pakapshëm”.
“Bild”: “Jashtë! Skuadra e 21-vjeçarëve të Berti Vogst mbas 1-1 kundër Shqipërisë del jashtë çerekfinaleve. Këta të rinj nga Ballkani janë të shpejtë, ata luftojnë dhe kur janë nën presion dinë të mbrohen në mënyrë të shkëlqyer. Këtë e ndjeu njëmbëdhjetëshi i Berti Vogst”.

20 NËNTOR 1983. Portreti i trajnerit Zan Rragami në faqen e gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

20 NËNTOR 1983. Portreti i trajnerit Zan Rragami në faqen e gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: “Shqiptarët u zënë rrugën juniorëve gjermanë për në çerekfinale. Të fuqishëm dhe të pakompromis luajtën ata edhe pse njëmbëdhjetëshi gjerman kishte vendosur të luante fort dhe shpejt. Ata shfrytëzuan menjëherë kundërsulmin, i cili po të ishte shfrytëzuar më me vëmendje, mund të kishte sjellë edhe ndonjë gol tjetër”.

SKUADRA MADHËSHTORE E ZAN RRAGAMIT.
Në 6-mujorin e dytë të vitit 1983, tirazhi i gazetës “Sporti popullor” që drejtoja, arrin në plot 54.194 kopje. Numri i saj i 22 nëntorit 1983 i mbas dy ndeshjeve të Trier-it (1-1) e të Saarbrücken (1-2) – njëra më e bujshme se tjetra – nuk ka ekzistuar më mbas orës 9:00 apo 10:00. Shqipëria sportive ishte në ekstazë. Suksesi i Shpresës së Zan Rragamit të dukej se ishte bërë një me suksesin e gazetës.

Në Trier kishte mbërritur për herë të parë Shqipëria. Ishte vendlindja e Karl Marksit. Por shtëpia muze e tij atë ditë ishte kyçur! “Do të kënaqesha” vetëm me fasadën dhe dritaret e errësuara. Por mbrëmja futbollistike e Trier-it, datuar 19 nëntor 1983, për ne do të ndriçonte si një vezullim. Deri poshtë, në labirintet e mjedisit të paradhomës së skuadrës shqiptare kemi parë duar që zgjateshin për të uruar shqiptarët. Më tej, atje poshtë, nga nëntribunat e deri në sallë apo holl, përgjegjësi tejet liberal dhe gjithnjë optimist, i paharrueshmi Miço Papadhopulli, çasteçaste shfaqej i rrethuar midis zyrtarëve apo miqve gjermanë me një respekt të rrallë.

Krejt i rrallë, mjedisi i konferencës së shtypit kishte një protagonist të vetëm: trajnerin e Shqipërisë, Zan Rragami. E kam të pashlyeshme në kujtesë fytyrën e tij, disi me një vështrim paksa të shtangur, kurrsesi të hutuar, por jo pa emocione. Nga zëri i tij kam fiksuar këto radhë që për asokohe nuk mund të them se ishin krejt të lira e çliruese, megjithatë: “Ka vlera të mëdha suksesi, se fituam kundër një skuadre të fortë. Ndonëse kjo fitore nuk është gjithçka. Mendoj se vendosi kolektiviteti. Mendoj se kualifikimi na përkiste ne. Skuadra tregoi një përgatitje të lartë fizike e taktike. Sigurisht edhe mund të ndodhte të pësonim një gol tjetër, por edhe duhej të kishim shënuar ne përsëri”.

Gazetarët gjermanë e shihnin me admirim trajnerin shqiptar. Natyrisht ata e kishin të vështirë të bindeshin aq shpejt, që një “djalë” i panjohur (Rragami ishte 39 vjeç) i cili vinte prej vendit më të prapambetur dhe më “të flakur” tej të Europës, që ishte Shqipëria e vogël, për më tepër ngushtësisht komuniste, të largohej kësisoj fitimtar nga Gjermania!

Si i vetmi gazetar shqiptar i pranishëm, teksa kisha humbur midis tufës së gazetarëve gjermanë, merrej me mend që nuk i tërhiqja vëmendjen askujt. E kisha lënë bllokun tim të shënimeve i shtangur tejet se si po më ndodhte që të isha dëshmitar i një ngjarjeje sportive të tillë, ku protagonist ishte një përfaqësues i brezit tim, i fëmijërisë sonë të vështirë, të Shkodrës asokohe të drobitur. Çuditesha edhe më fort kur kujtoja si në mjegull, ndeshjet e lagjeve tona ku ne admironim një Rragam nja një vit më të vogël, ndoshta duke parashikuar sadopak se ai do të mbërrinte diku larg. E, Zan Rragami do të bëhej një futbollist aq i madh, më saktë një njeri i madh i futbollit dhe sportit shqiptar. Ai e ka lënë sallën e shtypit të stadiumit “Mozselstadion” të Trier-it, i ndjekur prej syve të gazetarëve gjermanë si një sfidues i vërtetë. Shqipëria kishte vendosur në një ditë të futbollit ndërkombëtar një “rekord kombëtar” të sajin, krejt origjinal, të vetvetishëm, në fund të fundit, një “sui generis” që kërkon gjithnjë shpjegime. Një “rekord” që nuk është thyer ende as sot, mbas 40 vjetëve. Austria, Turqia dhe mbi të gjithë Gjermania – të tria nën Shqipërinë.

E këtu, për ta kuptuar më mirë, më duhet të shtoj, jo thjesht se kishin mbetur mbas nesh skuadrat e tri shteteve parësore të futbollit perëndimor me në krye Gjermaninë nënkampione e Europës në fuqi për 21- vjeçarët. Por sepse këto skuadra përbëheshin nga futbollistë të klubeve më të shquara të shteteve të tyre. Bayern, Koln, Stutgart, Hamburg, Nurnberg, Bayer L., Shalke 04, Bayer U. Eintracht F., Borussia D, Sturm, Grazer, Wacker Innsbruck, Austria, Fenerbahçe, Gallatasaraj, Besiktas, Trabzonspor…

Për ne ishin Mersini, Zmijani, Canaj, Demollari, Vila dhe Topçiu. Këta janë 6 titullarët e paprekshëm të cilët i luajtën të 6 ndeshjet e plota. Mandej vijnë Ocelli, Jera, Josa të cilën luajtën 5 nga 6 ndeshjet. Mbas tyre vijnë Hodja, Liti, të cilët luajtën në 4 nga 6 ndeshjet e zhvilluara. Këta janë 11 lojtarët të cilët duhen konsideruar titullarët, sepse qenë interpretuesit-protagonistë të suksesit të madh. Nëse do t’i vendosnim taktikisht, prej ku del edhe mënyra e lojës së skuadrës shqiptare, 11-shi duhet rreshtuar kështu:
MERSINI (Shkëndija & 17 Nëntori) në portë – ZMIJANI (Vllaznia) në të djathtë të mbrojtjes, HODJA (Shkëndija & 17 Nëntori) dhe JERA (Vllaznia) në qendër të mbrojtjes, OCELLI (Partizani) në të majtë të mbrojtjes – CANAJ (Dinamo), DEMOLLARI (Dinamo), LITI (17 Nëntori), JOSA (17 Nëntori) në mesin e fushës – VILA (17 Nëntori), TOPÇIU (Shkëndija & Dinamo) në sulm.

Ishim në vitin 1983, kur ende në futbollin e Europës lulëzonte skema tipike taktike 1-4-4-2. Këtu është merita absolute më e madhe e trajnerëve Rragami e Ikonomi. I pari mesfushor universal dhe i dyti qendërmbrojtës taktik, çka duket se të çonte te një 4-4-2 më tepër mbrojtës sesa sulmues. Nuk mendoj plotësisht kështu, sepse Rragami, si futbollist universal, nuk ka luajtur vetëm sulmuesin e krahut. Ndërsa të gjitha rolet e tjera: mbrojtësin, mesfushorin, qendërsulmuesin, gjysmësulmuesin, penalltistin, shënuesin në të gjitha mënyrat, shpëtimtarin e golit në vijën fatale, i ka realizuar si pakkush në Shqipëri. Trajneri Rragami përdori një modul disi më të ndryshëm dhe modern. Deri diku shumanshmëri midis shkëmbimeve të vendeve të lojtarëve, bashkëpunim i mbrojtësve anësorë me sulmuesit në çastin e fazës sulmuese, “detyrë” që ua linin mesfushorët anësorë të kthyer në mbrojtës kur sulmonte kundërshtari. Luhej me katër mbrojtës në një vijë, ndërsa shpesh shfaqej presingu, ndonjëherë edhe ofsajti (jashtëloja) artificial. Mandej, menjëherë kundërsulmi befasues. Dikush këtë mënyrë apo modul e ka përcaktuar si futbolli “i urtë” (“i mençur”), duke nënkuptuar me këtë “disiplinë” gjithë forcën e kësaj taktike. Dhe pa harruar më të rëndësishmen: përgatitjen e lartë fizike.

Por le të jemi modestë. E pra, sa ka qenë e tillë Shpresa shqiptare 1983? Ajo nuk ka qenë maja e Europës, kjo merret me mend, por me siguri them se kështu, në një mënyrë plotësisht moderne, ka luajtur. Zan Rragami ka përçuar asistoji tek ekipi i tij atë që kishte interpretuar vetë, duke pasë qenë një ndër futbollistët më taktikë që ka pasur Shqipëria.

Eh! Po a mund të them më mbas se dy ndeshjet e humbura 0-1 me Italinë në 1/4-at finale kanë qenë një mbyllje dështuese? Kurrsesi! Kanë qenë edhe ato ndeshje dinjitoze, madje po aq të jashtëzakonshme, përballë emrave të tillë si Mancini, Bonetti, Galia, Galli, Battistini sa për të përmendur këta pesë të cilët mbërritën deri te fanella e kombëtares së Italisë, Ndërkohë që shumica e lojtarëve vinin nga klube të tilla si Milan, Juventus, Roma, Fiorentina, Sampdoria…

Prej kësaj Shprese të Zan Rragamit, brenda 10 muajve u formua një ndër Kombëtaret tona më të bukura, ajo e 1984-ës, që tronditi Belgjikën e Shifos (2-0) dhe Poloninë e Bonjekut (2-2). Dhe për pak sa nuk qe duke shkuar në fundoret (finalet) e Kupës së Botës në Meksikë! Çka, ua rrit edhe më tej vlerën të talentuarve të mëdhenj të 1983-shit: Hysen Zmijanit, Skënder Hodjes, Sulejman Demollarit, Mirel Josës, Adnan Ocellit, Arben Vilës, të cilët vetëm mbas pak muajve u bënë bërthamë e asaj Kombëtareje të paharrueshme të Shyqyri Rrelit e Medin Zhegës!

Rrallë një Kombëtare shqiptare kishte lindur prej një Shprese të tillë! Skuadra e Zan Rragamit ishte po aty. Ende nuk ka ndodhur asnjëherë kështu. Edhe ky është një tjetër rekord i trajnerit Zan Rragami. Madje, për sot një mësim i madh i tij, që na thotë se Shqipëria ka prodhuar përherë talente të shquara të këtij rangu.

Duhet të shfletosh gazetat gjermane për të parë qoftë edhe nga ana e grafikës së faqeve të tëra të mbushura me kualifikimin e Shqipërisë dhe me foto të aq të shumta. Pa shkuar mandej tek e mirënjohura revistë, italiania e famshme “Guerin Sportivo” , e cila nuk do t’i ndalte shkrimet për këtë Shqipëri. “La conquista dell’Est”, “La giovane Italia”, “L’Albania in pillole”, “Dolce Tirana”, “Arrivano i nostri”, “Pianeta Albania”… Ia vlen të përkthehen e të botohen në vijime, qoftë edhe për të kuptuar më shumë përmes një gjykimi të huaj se çfarë qenë ngjarjet e Shqipërisë 21- vjeçare, në atë kohë të largët 1982-1984…

Mandej e rralla e gazetarisë sonë. Me kolegë do të mbështesnim përfshirjen e Shqipërisë 21-vjeçare në “10 sportistët më të mirë të vitit”. Ishte anketa më ambicioze e më synuese për sportistët shqiptarë. Një mbidekoratë sportive, që për kah popullariteti ua kalonte edhe dekorimeve të Kuvendit Popullor të Shqipërisë së asokohe. Një foto e madhe e gjithë ekipit me në krye trajnerët Zan Rragami e Petraq Ikonomi, të dukej se në kuptimin e mirë të fjalës, sfidonte vetë 10-shen më të mirë – në të vërtetë një nga më kuptimplotat në krejt historinë e sportit shqiptar. Ishin Emanuela Kola, Pavlino Evro, Agron Haxhihyseni, Sulejman Demollari, Alqi Mustafaj, Vasil Hoço, Gazmend Çaçi, Mimoza Risto, Perlat Musta, Shaban Uka. Sporti shqiptar i regjimit, duke të kujtuar thënien, tejet të diskutueshme megjithatë, se “diktaturat e bëjnë mirë sportin”, i kishte filluar vitet ’80 me rezultate që do të vinin gjithnjë në rritje. Kryetari i BFSSH, Mehdi Bushati, që i jepte aq fort përparësi futbollit dhe kryetari i FSHF, Kristaq Miço, përftonin edhe ata meritën e tyre të pakundërshtueshme.

“Kryesonte” Shpresa e Shqipërisë e Zan Rragamit – “ndër 8 skuadrat më të forta të Europës”, siç shkruante përcaktimi ynë në 10-shen fituese.

“WORLD SOCCER” I ANGLISË: SHQIPËRIA NË 8 MË TË MIRAT E BOTËS!
Dhe rasti më sensacional: revista e famshme angleze “World Soccer” në Anketën e saj Tradicionale të Vitit, përfshiu Shpresën e Shqipërisë në 10 skuadrat më të mira të botës për vitin 1983, madje në 8 më të mirat, mbas Hamburg, Aberdeen, kombëtares së Danimarkës, Roma, Liverpul, Anderlecht, Gremio të Brazilit dhe para kombëtares së Francës dhe asaj të Belgjikës!

U21 World Soccer

Gjithçka lidhej me faktin se Shqipëria papritmas u bë njëra nga 8 skuadrat më të mira të Kampionatit të Europës së bashku me Anglinë, Jugosllavinë, Italinë, Spanjën, Francën – pra me pesë më të mëdhenjtë e përhershëm të futbollit si dhe me Skocinë e Poloninë. Do të eliminohej krenare (0-1, 0-1) mbas dy ndeshjeve të 14 marsit dhe 4 prillit 1984 prej asaj e cila më mbas do të bëhej 5 herë kampione e Europës me 21- vjeçarët, Italinë asokohe të Azeglio Viccini-t.

Kaq mjafton. Zan Rragami me epokën e tij është ende midis nesh. Madje, përherë i parë, lart, në krye…

FUND

* Ribotimi i shkrimit është i rezervuar.
* Për vazhdimësi shih kapitujt I, II, III, IV të këtij dossier-i historik në “Panorama Sport” të 11 e 22 mars dhe të 7 e 19 prill 2022.

LEXO EDHE: 

Epoka e Zan Rragamit…

Historitë e mëdha të sportit shqiptar. Epoka e Zan Rragamit (PJESA II)

Epoka e Zan Rragamit… (Pjesa III)

Epoka e Zan Rragamit… (PJESA IV)

 


Epoka e Zan Rragamit… (PJESA V)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook