Policia e Fierit ka nisur sot procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin Ervis Alibehaj. 39 vjeçari ishte pronar i një kopshti privat dhe ushtronte aktivitetin pa licencë, ndërkohë policia sqaron se materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin shtetasin E. A., 39 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen “Kastriot”, në subjektin në pronësi të tij (kopsht privat), u konstatua se ky subjekt nuk ishte licencuar nga ana e Ministrisë së Arsimit, për kryerjen e këtij aktiviteti.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e policisë.