Në mungese të Orges Shehit, i cili pas barazimit ndaj Teutës, zhvilloi një mbledhje me lojtarët, në prononcimin për “Gol pas Goli”, u shfaq zv.trajner Kristi Vangjeli, që ndër të tjera u shpreh:
“Trajneri ka një takim me lojtarin, për t’i qetësuar. Kam ardhur unë që t’iu respektoj në maksimum. Pjesën e parë e kishim nën kontroll. Duhet të ishim më të vëmendshëm në pjesën e dytë, dhe mos i jepnim hapësira Teutës. Duhet të ishim agresivë në mesfushë, dhe të shënonim golin e sigurisë. Diferenca 10 pikë na jep qetësinë për të punuar dhe vazhduar në ndeshjet e radhës.
Gjykimi i kryesorit Alla nervozoi lojtarët. Tirana nuk duhet të merret me arbitrat. Lojtarët duhet të shikojnë përgjegjësinë e tyre në fushë dhe të japin më të mirën. Vendimet e gjyqtarit na nxorën nga vetja.
Ekipi i Tiranës ka ADN për të qenë gjithmonë kampion. E kemi gjithë kapacitetin, jemi ekip me vlera dhe kemi treguar respekt ndaj gjithë ekipeve. 10 pikë janë diferencë e madhe. Momentalisht është një moment jo, nuk duhet të na kapë paniku, duhet të japim më të mirën në ndeshjet e radhës. Janë të tjerët që duhet të merren me gjykimin, ne duhet të punojmë më shumë me lojtarët tanë.
Ne nuk shikojmë asnjë kundërshtar, përgatisim ekipin tonë, do të japim maksimumin, për të dalë me diferencë sa më të madhe. Do të japim maksimumin për të marrë 3 pikët në çdo ndeshje.
Nuk besoj se jemi të fokusuar te Seferi, duam që ai të dalë golashënues, por forca e grupit i jep më shumë vlerë. Shpresojmë që ai të shënojë në ndeshjet e mbetura. Ne jemi të fokusuar vetëm tek ekipi.
Nuk është e planifikuar që të festojmë në derbi. Nuk fal asnjë skuadër sot, është rastësi që do të luajmë ndaj Partizanit, shpresojmë që të fitojmë ndaj Partizanit dhe të shpallemi zyrtarisht kampionë.
Nuk e mendoj shumë shpesh që të jem trajner i parë. Dua shumë që të rritem në këtë post, është shumë herët për të marrë një vendim, duhet shumë përgjegjësi të jesh trajner i parë. Dua që të kem kohën e duhur për t’u menduar dhe për t’i bërë gjërat ashtu siç duhet”, u shpreh Vangjeli.
Arena e Lajmit