Vonesat e pagesave në futbollin e femrave janë bërë një problem shqetësues që po fillojnë të sjellin pakënaqësi brenda tyre. Ndërkohë, në lidhje me këtë problem me ekipet e futbollit të femrave në Shqipëri “Panorama Sport” ka kontaktuar me përgjegjësin e sektorit të femrave në FSHF, Florian Riza, i cili ishte në dijeni për këtë vonesë.
Ai shpjegon arsyen dhe shprehet që një pjesë e pagesave nuk ka kaluar akoma sepse FSHF ka qenë e bllokuar dhe nuk bënte dot asnjë veprim. Riza gjithashtu thotë se ky problem do të zgjidhet dhe premton se të gjitha pagesat do të kalojnë sipas skemës që është parashikuar që në fillim.
“Pagesat kanë kaluar rregullisht deri në momentin që për një periudhë kohe kemi qenë të bllokuar si FSHF dhe kjo ka qenë arsyeja që disa pagesa janë shtyrë. Nuk kemi pasur mundësi që të funksionojmë, sepse s’kemi pasur as firmë dhe as vulë. Ndërkohë që po ju them se pagesat e atyre vajzave do të merren të gjitha siç janë parashikuar.
Do të marrin pagesat dhe do të plotësohet e gjithë skema e incetivimit që është parashikuar nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit”, thotë fillimisht Riza. Ndërkaq, ai shprehet se çdo gjë do të zgjidhet shumë shpejt: “Askush të mos merakoset sepse kjo do të zgjidhet. Ky fond është parashikuar vetëm nga buxheti i FSHF-së dhe siç e thashë edhe më lart, të gjitha vonesat kanë ardhur si pasojë e bllokimit që shteti i ka bërë federatës, për një periudhë prej dy muajsh e gjysmë”, përfundon prononcimin e tij përgjegjësi i sektorit të femrave.
K.SEJATLLARI – Arena e Lajmit
