Sadio Mane duket se ka vendosur përfundimisht që t’i japë lamtumirën Liverpulit. Sulmuesi nga Senegali, edhe pse është një nga idhujt e tifozerisë dhe titullar i paprekshëm në radhët e skuadrës së Jurgen Klop, po mendon seriozisht largimin pasi nuk po gjen gjuhën e përbashkët me klubin për rinovimin.

Kontrata e tij në klub përfundon në verën e vitit 2023 dhe Mane është gati t’i japë lamtumirën të kuqve nëse nuk plotësojnë kërkesat e tij financiare. Prej disa ditësh raportohet se ka hyrë në garë për shërbimet e tij Bajern Mynih, që e sheh si një zgjidhje të “problemit Levandovski”.
Por nga Spanja bëjnë të ditur se nuk janë vetëm bavarezët të interesuar për sulmuesin. Mediat katalanase kanë zbuluar se që prej muajit mars, drejtuesit e Barcelonës janë takuar me përfaqësues të lojtarit, duke i shprehur dëshirën që ta shohin atë me fanellën e katalanasve.
Megjithatë, në ndryshim nga Bajern që është gati ta blejë që në këtë verë, Barcelona nuk e ka në plan Mane për edicionin e ardhshëm, por duke filluar që nga vera 2023. Situata financiare e katalanasve nuk e lejon që të bëjë një investim shumë të rëndësishëm siç është ai për senegalezin e kështu shpresojnë që ai të presë edhe një vit tjetër në Angli e të transferohet pastaj me parametër zero në verën e vitit 2023.
Arena e Lajmit
and then