Pas rënies nga Superiorja, për Dinamon ka edhe një pjesë tjetër jo pak të vështirë. Fjala është për ndërprerjen e mundshme të kontratës me ata futbollistë, të cilët nuk janë pjesë e projektit të ri. Dhe nuk janë pak, por pjesa dërrmuese e titullarëve të skuadrës, si dhe një pjesë e stolit.
Aktualisht, të gjithë po zbatojnë vendimin e klubit për të vazhduar stërvitjen deri më 15 qershor. Është e qartë se ndarja mes palëve nuk është edhe aq e lehtë. Në mes janë kostot financiare.
BISEDIMET – Gazeta mëson se drejtuesit e klubit kanë nisur bisedimet me lojtarët një e nga një. Ende nuk ka një vendim përfundimtar për asnjërin prej tyre.
Duhet një akord, në mënyrë që të mos krijohen probleme në vazhdim, ndaj dhe bisedimet janë në një fazë shumë të kujdesshme. Me shumë gjasa, lojtarët me më shumë përvojë do të largohen, sepse kanë edhe kontratat me kosto më të lartë financiare, ndërkohë që buxheti në Kategorinë e Parë duhet ulur.
Kapiteni Agim Ibraimi dhe Sabien Lilaj, për shembull, kanë edhe dy vjet kontratë me Dinamon. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe emra si Demiri, Sidibe, Imami e ndonjë tjetër. Isaevskit dhe Siljanovskit u përfundon kontrata.
TË HUAJT – Shanset më të mëdha për t’u larguar nga Dinamo i kanë lojtarët e huaj. Gjithsesi, me këta lojtarë duhet edhe më shumë kujdes për ndërprerjen e kontratës, sepse në të kundërt mund të krijohen telashe ligjore. Akoma edhe më shumë problem do të jetë me lojtarë si Sofranaku apo Denisoni.
Lojtarë, të cilët dolën jashtë planeve të stafit teknik javët e fundit të kampionatit dhe nuk pritet të hapin rrugë sa i takon kontratës. Veçanërisht mbrojtësi malazez, i cili është stërvitur me Dinamon U-21 për disa javë.
TË PREFERUARIT – Nga lojtarët që janë ende nën kontratë dhe që klubi kërkon t’i mbajë, janë portieri Simon Simoni, mbrojtësit Alesio Mija dhe Edis Maliqi, si dhe anësori Rimal Haxhiu. Plus disa elementë të tjerë të rinj.
Haxhiu në fakt është i huazuar nga Apolonia dhe pas datës 15 qershor do të kthehet te fierakët, bashkë me Redon Mihanën dhe Romeo Harizajn. Merkatoja në këtë moment është në plan të dytë, por edhe në këtë drejtim klubi ka nisur të punojë.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit
Loading…