Pasi vendosi të mos rinovonte me Juventusin, Paulo Dibala zgjodhi Majemin për të kaluar një pjesë të pushimeve të tij.

Në SHBA, larg syrit të mediave europiane që e njohin mirë, argjentinasi po shijon qetësinë që vetëm përtej oqeanit mund të gjendet për njerëz me famën e tij.
Për ta shoqëruar, si gjithmonë, e dashura, ndërkohë që telefonin Paulo nuk e fik për asnjë moment.
Ai pret lajme nga menaxheri Horge Antun dhe bashkëpunëtorët e tjerë të cilët kanë marrë përsipër misionin për t’i gjetur një skuadër.
Sevilja dhe ndonjë tjetër kishin bërë përçapjet e tyre për ta joshur, por 28-vjeçari nuk dëshiron të largohet nga Italia. Interi ka shfaqur interes që nga momentet e para kur largimi nga Juvja u njoftua.
Arkitekti i operacionit nuk mund të ishte askush tjetër përveç Bepe Marotës. Miqësia me administratorin e nënkampionëve të Italisë e ka orientuar zgjedhjen e Dibalës drejt zikaltërve që mund të shtojnë një tjetër argjentinasi në historinë e lojtarëve që kanë veshur fanellën e tyre.
TAKIMI I MADH – Për “hir” të Interit, “La Joya” ka hequr dorë nga pretendimit prej 10 milionë eurosh, një kërkesë që e pati parashtruar edhe në kohën e bisedimeve me Juventusin.
Asokohe nuk u gjet akordi, por me sa duket, në rastin e Interit, Dibala ka dhënë miratimin për gjetjen e akordit në shifrat e propozuara nga zikaltrit.
6 milionë euro plus 1 milion në formën e bonuseve për tri vitet e ardhshme, ka qenë oferta e fundit pas paraqitjes të së cilës është parashikuar një tjetër takim mes palëve që duhet të mbahet përpara 20 qershorit.
Pikërisht 20 ose 21 qershori pritet të jenë datat në të cilat sulmuesi dhe Interi do të zyrtarizojnë “martesën” e tyre.
Mungojnë edhe nëntë ditë nga ajo datë dhe kjo kohë do të shfrytëzohet nga menaxherët e lojtarit për të qartësuar detajet e fundit me përfaqësuesit zikaltër.
Sipas “Spormediaset”, ka optimizëm të madh, teksa thuhet se janë kapërcyer edhe pengesat që kishin lidhje me sponsorët personalë dhe e drejta e imazhit.
Siç e njoftuam edhe në numrin e djeshëm të “Panorama Sport”, me përfundimin e pushimeve javën e ardhshme, Dibala do të fokusohet tërësisht te futbolli dhe forma e tij, që në pritje të sezonit të ri duhet të jetë optimale.
Ashtu si në vitin e kaluar, 28-vjeçari do të punojë me një trajner personal pasi nuk dëshiron t’i lërë asgjë rastësisë dhe do të bëjë ç’është e mundur për t’iu shmangur dëmtimeve që e kanë karakterizuar sezonet e fundit.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI
Loading…
and then