
Përfaqësuesja e Kosovës sonte përballet me Irlandën në transfertë, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, ku synon që të sigurojë pozitën e dytë në grupin e saj në Ligën B.
Pas fitores në ndeshjen e parë ndaj irlandezëve, “Dardanëve” u mjafton edhe një barazim në udhëtim për ta përmbyllur grupin në vendin e dytë, ku bëjnë pjesë edhe Austria dhe Izraeli. Por, për Kosovën kjo ndeshje ka një rëndësi shumë më të madhe sesa thjesht përfundimi në një pozitë më të mirë në grup.
Përfundimi në vendin e dytë do të ishte një hap i rëndësishëm drejt ëndrrës për pjesëmarrje në Kampionatin Europian, pasi do t’i siguronte Kosovës një pozicion më të favorshëm në shortin e kualifikimeve për Europianin, përkatësisht në vazon e dytë.
Trajneri i Kosovës, Franko Foda, nuk dëshiron që skuadra e tij të hyjë në fushë vetëm për të kërkuar një pikë. Strategu gjerman ka bërë të qartë se synimi është fitorja, ndonëse pret një përballje të vështirë kundër një kundërshtari që nuk ka alternativë tjetër përveç triumfit.
“Irlandës i duhet fitorja, ndërsa neve na intereson edhe barazimi. Por në fushë ekipet hyjnë për fitore. Do të tentojmë nëpërmjet kundërsulmeve të fitojmë këtë ndeshje. Nëse flasim për përkrahjen, gjithmonë për futbollistët është të luajnë në atmosferë impozante. Shpresoj edhe nesër të ketë shikues. Ne e rëndësishme është të imponojmë lojën tonë tek Irlanda dhe të marrim rezultatin që kërkojmë”, deklaroi mes tjerash Foda në konferencën për media.
Kështu, përballja në Irlandë nuk është thjesht një ndeshje për një pikë apo për një pozitë në renditje. Është një mundësi e rëndësishme për Kosovën që të hedhë një hap tjetër drejt ëndrrës europiane.
and then