Rinovimi i mbrojtësit të majtë, Armando Rami, u hapi rrugën kontratave të reja te Kastrioti. Mirëpo, në javën e fundit klubi krutan nuk ka pasur zhvillime në këtë aspekt.
Drejtuesit kanë negociuar me disa futbollistë që u ka përfunduar kontrata, por deri më tani nuk ka zyrtarizime. Bedri Greca, Spartak Ajazi, Abaz Karakaçi dhe Sokol Neziri janë titullarët që ende nuk kanë vendosur, në një kohë që vullneti i klubit dhe trajnerit Emiljano Çela është ruajtja e grupit dhe afrimi i disa lojtarëve cilësorë, për të kompletuar skuadrën në prag të sezonit 2022-2023. Të larguar nga skuadra mund të quhen emra si Kaina Nunjesh, Jusuf Zetuna, Xhoi Hajdëraj, Elton Vata, Lukman Husein dhe Arbër Basha.
Dilema ka edhe për Edon Hasanin, i cili pas performancës së mirë në gjysmën e sezonit të kaluar, ka marrë disa oferta nga jashtë Shqipërisë. Pista për të vazhduar karrierën te FC Turan në Kazakistan është ende në fuqi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mesfushorin nigerian, Henri Okebugu, i cili ka pak gjasa të vazhdojë me krutanët, teksa po shikon mundësi të tjera për të ardhmen.
Gjithsesi, drejtuesit e Kastriotit nuk kanë qëndruar pasivë në këtë situatë, pasi kanë nisur negociatat me disa futbollistë që trajneri Çela i do si afrime për sezonin e ri. Në klub janë të rezervuar për të dhënë detaje për emrat, pasi më parë duan të kenë mbyllur marrëveshjet. Konkretizime pritet të ketë në fillim të muajit korrik.
-Arena e Lajmit

Loading…