Dinamo do t’i rikthehet fushës më 11 korrik. Ishte fiksuar data 10 fillimisht, por duke qenë se qëllonte e diel, e kanë spostuar për të hënën.

Blutë këtë sezon luajnë në Kategorinë e Parë dhe synimi i tyre është rikthimi i shpejtë në elitë. Në kampin dinamovit janë të vetëdijshëm për vështirësitë e Kategorisë së Parë.
Asgjë nuk i ngjan asaj që lanë para dy vitesh, ndaj edhe vendosën të ruajnë 80 për qind të organikës. Stoli iu besua trajnerit Nevil Dede, ndërkohë që janë përqendruar edhe në merkato.
Drejtuesit kanë zgjedhur të punojnë në heshtje në këtë drejtim.
DILEMAT – Pak ditë para grumbullimit ka edhe disa dilema. E para është se ku do të stërvitet Dinamo këtë sezon dhe ku do t’i zhvillojë ndeshjet e kampionatit.
Sezonin e kaluar blutë u stërviten në Pezë dhe në “Football Republic”, ndërsa ndeshjet i luajtën kryesisht në Elbasan. Dinamo luajti si pritëse edhe në Tiranë, Kamzë dhe Rrogozhinë.
Variante për sezonin e ri janë “Selman Stërmasi” dhe stadiumi i Kamzës. Një tjetër dilemë është ajo që lidhet me merkaton. Blutë nuk kanë bërë asnjë zyrtarizim deri tani, por puna vazhdon dhe një pistë, siç gazeta ka bërë me dije, është ajo e huazimit të dy lojtarëve me kualitet të lartë nga Porto B.
Ortaku Kristjan Gjidodaj ndodhet në Portugali për këtë çështje. Gëzim Krasniqi po ashtu është një alternativë për Dinamon. Për emrat e tjerë duhet pritur ende.
Blutë nuk duan të nxitohen për afrimet, sepse e kanë bazën. Për ata rëndësi ka të bëjnë goditjet e duhura dhe të mbërrijnë të parët në finish. Dilema e tretë lidhet me stafin teknik.
Deri tani është konfirmuar vetëm trajneri Nevil Dede. Emrat e ndihmësve të tij mbeten për t’u mësuar. Stafi teknik do të jetë krejtësisht i ri, pasi të gjithë pjesëtarët e stafit që mbyllën sezonin e kaluar janë larguar.
Prezantimi i stafit të ri teknik të Dinamos është menduar të bëhet brenda kësaj jave.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…
and then