EKSKLUZIVE/ “Revolta” e Ardit Hoxhajt: Rinovova për të qenë lider, te Vllaznia e pësoj gjithnjë unë kur ekipi…

Ardit Hoxhaj ishte protagonisti i barazimit mes Vllaznisë dhe Universitatea Kraiovës në ndeshjen e djeshme, të vlefshme për turin e dytë të Ligës së Konferencës. Sulmuesi vlonjat, i aktivizuar në fillimin e pjesës së dytë, gjeti golin vetëm pas pak minutash në fushë. Në prononcimin pas ndeshjes, ai theksoi se Vllaznia do të luftojë për të kaluar turin në Rumani.

hoxhaj vllaznia

“Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje me dinjitet. Kemi luajtur si të barabartë me një kundërshtar të fortë si Universitatea Kraiova. E pësuam nga një penallti, që normalisht duhej ta shmangnim. Ishte një episod që ndodh gjatë lojës, por gjetëm forcë dhe reaguam mirë në fillimin e pjesës së dytë. Tani kemi një ndeshje të kthimit dhe do të luftojmë për të kaluar turin në Rumani. Do të japim maksimumin tonë, edhe pse e dimë që na pret një ndeshje edhe më e fortë. Vllaznia ka treguar se di të luajë mirë futboll ndaj çdo kundërshtari”, ka thënë fillimisht Hoxhaj.

STOLI DHE “REVOLTA”

Sulmuesi vlonjat ka qenë shpeshherë rezultativ më tepër kur vjen nga stoli dhe këtë e konfirmoi edhe finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, ku sapo u fut në fushë barazoi rezultatin. I pyetur për faktin që kështu ndodhi sërish edhe dje, vetë Hoxhaj deklaroi:

“Më vjen për të qeshur, sepse ky rast më është bërë si një ‘deja vu’ tani. Gjithsesi, unë jam aty në shërbim të ekipit dhe më vjen mirë që ndodh kështu. Sa herë i duhem Vllaznisë, jam në momentin dhe kohën e duhur. Unë jam lojtar profesionist dhe si të jem në formacion apo të futem nga stoli, sillem njëlloj në fushë. Pra, jap 100% për skuadrën. Ta dija që do të shënoja çdo ndeshje sa herë futem si zëvendësues, do t’i kërkoja trajnerit të qëndroja në stol gjithnjë”, theksoi sulmuesi, që më pas bëri edhe një polemikë, duke shfryrë më tepër për të kaluarën. “Nëse do të më lënë prapë në stol, do të shënoj edhe në Rumani, e sigurt.

Normalisht unë kërkoj të jem një lider te Vllaznia dhe klubi më ka ofruar një kontratë të tillë. Shumë herë, në rastet kur ekipi nuk ka pasur rezultate, jam unë që jam ulur në stol. Nuk e di pse duhet të ndodhë kjo gjë gjithmonë me mua?! Jam te Vllaznia, pasi kam refuzuar një ofertë nga jashtë për të qenë lider i ekipit. Nuk jam këtu që në një moment që Vllaznia ecën keq, të jem unë i pari që pësoj me lënien në stol. Nuk është revoltë, sepse nëse i referohemi ndeshjes me rumunët, profesor Josa mendon të bëjë atë që është më e mira për ekipin sa i përket vazhdimësisë. Unë e kam për të shkuarën, sepse në momentin që rinovova, më pas sa herë skuadra nuk shkonte mirë, isha unë i pari që ulesha në stol”, deklaroi golashënuesi. Në fund, sulmuesi zbuloi edhe strategjinë që kishte menduar trajneri për të mos rrezikuar shumë në ndeshjen e parë.

“E kishim përgatitur ndeshjen në atë mënyrë që të mos rrezikonim sa i përket rezultatit. Na duhej një rezultat i mirë dhe ia arritëm. Barazimi ishte i drejtë, pasi ka qenë një lojë thuajse e barabartë. Natyrisht kundërshtari ka dominuar disi me qarkullim topi, por nuk ka pasur ndonjë rrezikshmëri të madhe, pasi ka qenë më tepër larg portës sonë”, ka përfunduar 28-vjeçari.

Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×