Xhuzepe Marota i ka dhënë drejtim mer katos së Interit që prej 2018 kur ka marrë rolin e administratorit të deleguar të zikaltërve, pas largimit nga Juventusi ku mbante të njëjtin pozicion. Që atëherë kontributi i 65-vjeçarit në rikthimin e milanezëve te trofetë ka qenë i padiskutueshëm dhe uria për të fituar vetëm është shtuar.

Të njëjtën grintë drejtuesi e ka shfaqur edhe në deklaratën e tij për “Dazn”, ku ka prezantuar sezonin e ri duke konfirmuar edhe një herë tjetër qëllimet apo siç e quan ai ëndrrën e Interit dhe po ashtu ka shënjestruar bardhezinjtë si kundërshtarin direkt të tyre.
TITULLI – “Ëndrra jonë, e klubit, e drejtuesve, e lojtarëve dhe e të gjithë stafit është t’u dhurojmë tifozëve yllin e dytë në fanellë. Titulli i 20-të i historisë është ëndërr pa nisur ende sezoni, por sigurisht që mund të kthehet në realitet, duhet vetëm të kemi guximin dhe kurajën për ta bërë këtë. Kur të nisim do të jetë një objektiv dhe ambicia nuk na mungon për të pasur objektiva të tillë sportivë, madje nuk na mungojnë as mundësitë për ta mbërritur”.
RIVALËT – “Juventusi do të jetë kundërshtari ynë kryesor këtë sezon. E kemi parë të gjithë sa është përforcuar, ka bërë një fushatë fantastike blerjesh dhe i ka shtuar shumë vlerë skuadrës së tij. Gjithsesi, edhe pa këtë merkato, bardhezinjtë duhen konsideruar gjithmonë favoritë, në çdo kompeticion që marrin pjesë. Na takon neve ta konkurrojmë, por në fund të ditës duhet të shohim shtëpinë tonë.
Matja e forcave të skuadrave do të bëhet në fund të merkatos, por ne jemi të sigurt që në fund të saj do të kemi një grup shumë kompetitiv dhe një organikë të plotësuar. E njoh skuadrën që kemi dhe të gjithë do të japin maksimumin për të mbërritur te titulli dhe për të plotësuar çdo qëllim tonin. Kam shumë besim te të gjitha hallkat që formojnë Interin dhe në një situatë të tillë i mirëpres të gjitha duelet. Duhet të them që nuk është vetëm Juventusi, por Milani, Napoli e Roma janë aty dhe betejat nuk do të mungojnë”.
Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit
and then