Çelsi gjatë kësaj vere ka pësuar goditje të njëpasnjëshme në merkato përballë Barcelonës, e cila i hoqi nga duart Rafinja dhe Kunde, dy elementë që blutë i kërkonin për të përforcuar radhët e tyre. Por sot, londinezët u hakmorën me një rinovim të rëndësishëm.
Cesar Azpilikueta ka hedhur firmën në kontratën e re me Çelsin, duke rinovuar deri në vitin 2024 në klubin ku mban edhe shiritin e kapitenit. Mbrojtësi ishte një nga dëshirat e Çavit dhe prej disa javësh palët ishin në negociata. Por në fund Azpilikueta ka zgjedhur të vazhdojë karrierën e tij në Londër, duke kthyer mbrapsht ofertën që i kishte ardhur nga Spanja.
Një lajm i mirë për anglezët të cilët e kanë festuar këtë si të ishte një blerje e madhe për klubin, i cili pavarësisht ndërhyrjes së pronarëve të rinj, e ka pasur shumë të vështirë të bënte goditje në merkato, edhe për faktin se ka një skuadër të mbipopulluar me lojtarë që nuk po arrin të shesë.
Arena e Lajmit
