
Gjatë pasdites të së mërkurës në fshatin Menkulas të Devollit një shtetas i identifikuar si Vasil Babinasi tentoi të vriste me mjet të forte (sëpatë), një 73-vjeçar.
Si fillim kjo ngjarje u raportua si aksidentale, por me ndërhyrjen e policisë dhe me zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes u zbulua se ishte një tentativë për vrasje.
Ka qenë si fillim rrëfimi i të moshuarit, shtetasit Vasil Begolli i cili pasi kishte shkuar në spitalin e Devollit për të marrë ndihmën e parë mjekësore ka deklaruar përpara oficerit të policisë gjyqësore se ishte rrëzuar aksidentalisht, në oborrin e banesës së tij por nga provat e siguruara nga hetimi rezultoi se shtetasi Vasil Babinasi, 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për motive të dobëta, kishte goditur me mjet të fortë (sëpatë), në kokë, 73-vjeçarin, i cili do të transportohet nga spitali i Korçës në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim të specializuar.
Sipas burimeve, bëhet e ditur se autori e ka qëlluar me pjesën e prapme të sëpatës në kushtet kur të dy personat në fjalë kanë qenë duke u konfliktuar për motive të dobëta në gjendje të dehur.
Ndërkohë nga deklarata e pronarit të lokalit mësohet se të dy shtetasit e kanë nisur konfliktin e tyre pikërisht nga tavolina e lokalit aty ku autori dhe i plagosuri po luanin me letra.
Kanë qenë dy raste që të dy këta shtetas janë konfliktuar me njëri-tjetrin për lojën me letra dhe në të dyja rastet janë ndarë nga vetë pronari i lokalit së bashku me banorët e tjerë.
Por konflikti do të shkonte edhe më tej kur këta banorë do të dilnin nga lokali.
Edhe banorë të tjerë të pyetur rreth ngjarjes deklarojnë se mes tyre nuk ka pasur konflikte të hershme, por ka qenë loja me letra ajo që ndezi gjakrat.
Në vijim të veprimeve procedurale është arrestuar ne flagrancë shtetasin Vasil Babinasi, 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll i emigruar në Greqi, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.