Kur kanë mbetur edhe tetë ditë nga starti i kampionatit, Bylisi i ka përqendruar përgatitjet në kuadër të sfidës së parë me Kastriotin në “Adush Muça”. Mallakastriotët, ndryshe nga vitet e shkuara, e nisin në shtëpi kampionatin, ndërsa shpresojnë të marrin tri pikë.
Pozitiv është fakti se baza e skuadrës është e ruajtur dhe kjo shërben shumë në harmonizimin e grupit, pasi një pjesë e lojtarëve kanë qenë edhe titullarë në Superiore dy sezone më parë. Dje, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur një nga lojtarët e talentuar të skuadrës, shkodrani Aleksandër Trumci, i cili do të luajë sezonin e tretë në Ballsh. Nga një sulmues krahu, Trumci është përshtatur në rolin e një mbrojtësi të djathtë.
“Natyrisht, që pas një faze me ngarkesa, e cila është alternuar edhe me miqësore, mendoj se jemi gati për sezonin e ri. Superioren e kam provuar edhe më parë me Bylisin, por shpresoj që të kem më shumë minuta këtë sezon. Kam ambientuar shumë mirë në linjën e djathtë, ku edhe kam luajtur më së shumti në sezonin e shkuar, por edhe në miqësoret që kemi zhvilluar këtë verë.
Garën e parashikoj të vështirë, pasi konkurrenca është e madhe. Megjithatë, unë kam besim se ne do të jemi një ekip dinjitoz, sepse kemi vite që luajmë bashkë. Ky grup premton shumë, sepse është një projekt që ka nisur vite më parë në saj të strategjisë së klubit”, theksoi fillimisht shkodrani.
NDRYSHIMET
Lojtari 21-vjeçar mendon se afrimet e fundit kanë shtuar cilësinë dhe konkurrencën në skuadër. “Merkatoja që ka bërë klubi ka rritur konkurrencën. Bashkë me lojtarët që kanë qenë vjet, unë kam besim maksimal se do të prezantohemi denjësisht në garë.
Kampionati po afron dhe Bylisi do të synojë që të bëjë mirë në çdo sfidë, sepse e kemi të qartë që në një garë me dhjetë ekipe, konkurrenca është e madhe”, deklaroi Trumci, i cili bashkë me Qardakun dhe Prekën, janë lojtarët shkodranë që priten të jenë titullarë me Bylisin në sezonin e ri. Gjatë sezonit të fundit kontributi i tyre ka qenë i madh, duke u bërë protagonist në rikthimin e ballshiotëve në elitë pas vetëm një sezoni në Kategorinë e Parë, ku dhe u shpallën kampionë të vendit.
ERJON SALIU- Arena e Lajmit
