
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi të zhvilluar mbrëmjen e sotme me banorët e degës 11 në Tiranë, u shpreh se protesta e 6 dhjetorit do të jetë më e fuqishmja që opozita ka organizuar.
Berisha tha se në këtë datë, ku pritet që të mbahet edhe samiti i BE Ballkani-Perëndimor, do të mblidhen në Tiranë liderët e europës dhe protesta është një mesazh që ata duan të japin, për të paraqitur Shqipërinë e vërtetë.
“Takohemi në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për PD, opozitën dhe Shqipërinë. Takoheni në prag të një samiti të një rëndësie të jashtëzakonshme, në të cilin vijnë liderët e vendeve anëtare të BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga të gjithë këta liderë, njëri prej tyre duhet të themi të vërtetën, është përfaqësuesi më i zi i mafies shqiptare dhe ndërkombëtare, Edi Rama.
Ndaj dhe ne forcë politike e vokacionit perëndimor, e cila integroi Shqipërinë në NATO dhe bëri hapa të jashtëzakonshme të Shqipërisë në integrimin e BE, në 6 dhjetor do jemi në protestën më të fuqishme që kemi bërë ndonjëherë. Nuk ka asnjë shenjë proteste përveçse mikpritje dhe përzemërsi ndaj liderve europiane, por protesta jonë ka të bëjë me një armik të vlerave eueopiane në Shqipëri, i cili duke grabitur votën përfaqëson shqiptarët në atë samit.
Ne dalim në protestë për t’i paraqitur botës Shqipërinë reale, të vërtetat e zeza të regjimit monist të Ramës, i cili duke grabitur votën dhe aspak me meritë, duke shndërruar shtetin në një makineri elektorale, duke përdorur dhjetëra milonë narkoeuro për të blerë votën, duke përdorur patronazhistët që kanë funksionuar si terroristët e kuq, ulet bashkë me lidërët e zgjedhur me vota të lira në vendet e tyre”, tha Berisha.