Erik ten Hag ka fituar respektin e lojtarëve të tij të Mançester Junajtidit, ndërsa “The Sun” ka zbuluar se trajneri ka vrapuar bashkë me skuadrën në diellin e nxehtë 24 orë pas humbjes me Brentfordin fundjavën e shkuar. Kjo ka ndihmuar bashkimin e grupit që dha përgjigje në fushë me fitoren 2-1 kundër Liverpulit të hënën në “Old Trafford”.
Tekniku holandez, i tërbuar për humbjen e dytë në Premier Ligë, anuloi ditën e pushimit pas disfatës 4-0 kundër Brentfordit më 13 gusht. Ai e nxori skuadrën në “Carrington” dhe i urdhëroi lojtarët që të bënin një vrapim 13.8 km si dënim për humbjen me “Bletët” 24 orë më herët. Por pavarësisht se shumë prej senatorëve të “Djajve” ishin zemëruar me këtë dënim, ata u habitën kur panë që vrapimit të tyre iu bashkua edhe trajneri.
Ai tregoi se asnjë në klub nuk do të përfitojë trajtim special, ndërsa në ndeshjen kundër Liverpulit la në stol 4 lojtarë, përfshirë kapitenin Herri Meguajër dhe Kristiano Ronaldon. Ai mësohet t’i ketë thënë qendërmbrojtësit më të shtrenjtë se ai nuk është më një zgjedhje e parë për Junajtidin dhe nuk e ka më të sigurt as shiritin e kapitenit. Ai ia dorëzoi detyrat e liderit Bruno Fernandeshit kundër Liverpulit.
VIDEOT E RIVALËVE – Gjatë kësaj jave, 52-vjeçari e ka detyruar skuadrën që të shohë edhe videot e skuadrave rivale për të mësuar se si duhet të luajnë. Ai i ka vendosur ndeshjet e Çelsit, fqinjëve të Sitit, por edhe Liverpulit përpara përballjes me rivalët, duke u treguar djemve të tij se si duhet të nisin të kthejnë timonin. Ish-trajneri i Ajaksit i ka paralajmëruar gjithashtu futbollistët se ata duhet të lajmërojnë familjarët e tyre se do të dalin herët nga shtëpia dhe do të kthehen vonë derisa të zgjidhin problemet e tyre.
Arena e Lajmit