Klejdi Daci prish planet e trajnerit Skënder Gega, pasi për dy ndeshjet e ardhshme, atë ndaj Vllaznisë këtë fundjavë dhe ndaj Kastriotit më pas, Kukësi do të ketë në dispozicion vetëm një sulmues, kroatin Ante Zivkoviç. 23-vjeçari u pezullua me dy takime nga Komisioni i Disiplinës, për shkak të incidentit në ndeshjen me Tiranën, duke lënë në njëfarë mënyre “zbuluar” verilindorët në fazën ofensive.

Nga një situatë e tillë, Gega është duke menduar lëvizjet që do të bëjë, ndërkohë që duke marrë shkas nga ky moment, u ka bërë apel lojtarëve që të kenë sjellje sa më sportive në fushë dhe të evitojnë çdo ndëshkim të panevojshëm. Në fakt, kuksianët u shfaqën nervozë në sfidën hapëse, sepse përveç Dacit, që u ndëshkua me të kuq, tre futbollistë morën të verdhë: Haxhiu, Ndreca dhe Hasaj. Në të ardhmen, lojtarët duhet të tregojnë kujdes edhe me ndëshkimet, sepse mund t’i prishin punë skuadrës.

PRITSHMËRITË
Kalendari nuk ka qenë aspak favorizues për Kukësin në këto dy javë të para, pasi fillimisht u sfiduan me Tiranën kampione të vendit dhe më pas kanë një përballje me fituesit e Kupës së Shqipërisë, Vllazninë. Praktikisht, janë dy skuadrat më të forta në letër dhe për t’u mundur, sepse bëhet fjalë për dy ekipet e vetme që arritën të dilnin me trofe edicionin e kaluar. Mirëpo, nëse me bardheblutë u kënaqën edhe me një barazim, me kuqeblutë do të kërkohet maksimumi, edhe pse luajnë në transfertë dhe në një fushë të vështirë për këdo, siç është ajo e “Loro Boriçit”. Për Kukësin, pritshmëritë janë të larta në çdo ndeshje dhe çdo sezon, pasi gjithnjë ka hyrë në kampionat me petkun e pretendentit. I tillë është edhe ky vit dhe ndeshja me shkodranët, me verilindorët që pritet të hyjnë në fushë vetëm për të marrë tri pikët.

ANA PSIKOLOGJIKE
Kukësi kërkon t’i bëjë një nisje të mirë sezonit dhe të mos presë gjatë për fitoren e parë, pasi e sheh shumë të rëndësishme anën psikologjike këtë sezon. Për këtë arsye, Gega së bashku me stafin, përpos anës teknike dhe praktike në fushë, po punon edhe me faktorin psikologjik me skuadrën dhe lojtarët, duke i dhënë besim dhe pohuar se mund të nxjerrin akoma më shumë nga potenciali i tyre. Nga ana tjetër, lojtarëve të huaj, që nuk e njohin rrugëtimin e Kukësit në futbollin shqiptar, u është bërë e qartë se kanë ardhur në një klub që ka qenë gjithnjë konkurrues në elitë, ndaj edhe ky sezon kështu do të jetë.
Arena e Lajmit
and then