Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi u kap me armë dhe municione në banesë.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në kuadër të operacionit të koduar Info u arrestua Eduart Gjika.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Info”, sekuestrohen kallashnikov, fishekë dhe kapsolla detonatore. Në pranga 31-vjeçari që i kishte fshehur në banesë, armën dhe municionin.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të mbajtjes pa leje, në banesë, të një arme zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Info”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi E. Gj., 31 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 31-vjeçarit, në fshatin Ishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura një armë zjarri kallashnikov, fishekë luftarak dhe 54 kapsolla detonatore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.