Sinisha Mihajloviç është shkarkuar nga drejtimi i Bolonjës këtë javë dhe për trajnerin serb, nuk ka qenë një vendim edhe aq i lehtë për t’u kapërdirë. Kjo kuptohet qartësisht në fjalët e tij, në një letër të gjatë që ka publikuar në “La Gazzetta Dello Sport” si falënderim dhe shpjegim për tifozët e klubit të Serisë A.

“Më ka ndodhur shpesh të përshëndet tifozë, lojtarë, klube, qytete, për të thënë mirupafshim apo lamtumirë. Është pjesë e karrierës së një futbollisti e trajneri që të largohet herët apo vonë. Ciklet sportive lindin, zhvillohen, dhurojnë kënaqësi, shpesh zhgënjime dhe pastaj në mënyrë të pashmangshme përfundojnë. Asgjë nuk është e përjetshme. Por këtë herë shija që më lë kur kthej kokën pas një herë të fundit është më e trishtë”, shkruante ndër të tjera Mihajloviç i cili nuk u kursye kundër drejtuesve.
“Nuk kam qenë kurrë një hipokrit, nuk do të jem as këtë radhë. Nuk e kuptoj këtë shkarkim, e pranoj, siç duhet të bëjë një profesionist, por e vlerësoja situatën absolutisht nën kontroll dhe të përmirësueshme. Klubi nuk ishte i të njëjtit mendim. Jemi vetëm në javën e pestë, e kam të vështirë të mendoj se e gjithë kjo varet vetëm nga rezultatet e fundit apo nga klasifikimi dhe jo një vendim që ka kohë që mendohet. Mëkat.

Por dua të saktësoj që gjendja ime shëndetësore është e mirë dhe në përmirësim të vazhdueshëm. Unë nuk po kurohem më, po bëj vetëm kontrolle. Kam ndjekur në qendrën stërvitore të gjithë stërvitjet e këtyre javëve. E vetmja pengesë e imja është që nuk mund të qëndroj për shumë orë nën një diell të fortë. Por nuk kam munguar asnjë ditë. Asgjë nuk më pengon që të punoj dhe të ulem në pankinë”, shkruante ndër të tjera Mihajloviç, duke hedhur poshtë zërat se nuk ishte në gjendje të drejtonte më.
Arena e Lajmit
and then