EKSKLUZIVE/ Bylykbashi: Partizani për titullin kampion, “demat” duhet të kenë kujdes… (E PLOTË)

Partizani luan nesër ndeshjen e javës së katërt ndaj Erzenit në “Elbasan Arena”, e vjen pas tri fitoreve dhe ecurisë perfekte. Dorian Bylykbashi, ish-fantazist i “demave” dhe një nga figurat më të shquara të pas viteve 2000 në klubin e kuq, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, i bën thirrje skuadrës ta marrë seriozisht Erzenin. Elbasanasi flet edhe për largimet e Belicës dhe Mehmetit, si dhe shprehet se emërimi i Kolelës është një lëvizje që për momentin u ka dalë për mirë drejtuesve.

dorian bylykbashi

Sa ju ka bindur Partizani në këtë nisje të sezonit?

E pashë Partizanin në ndeshjen me Laçin, ishte një nga lojërat më të mira që ka zhvilluar. Më ka bindur me lojë dhe me raste, duke pasur parasysh që është ende fillimi i kampionatit dhe nuk kanë arritur formën maksimale.

A është Partizani i sivjetshëm më i fortë se i vjetshmi?

Është shpejt për ta thënë këtë. Shpresoj të jetë më i fortë dhe të arrijë titullin kampion, që nuk mungon prej shumë kohësh, por Partizani ka ‘uri’ ta fitojë çdo sezon. Unë uroj me zemër të ecin sa më shumë dhe përse jo të festojnë në fund. Është rrugë shumë e gjatë, jemi vetëm në fillim, t’i marrin ndeshjet një nga një dhe të vlerësojnë çdo kundërshtar.

Mendoni se Partizani mund të regjistrojë një seri të gjatë fitoresh?

Përse jo, e kanë vetë në dorë çunat bashkë me stafin dhe trajnerin, i cili ka ardhur shumë vonë, çka është një minus në njëfarë mënyre, por që ka dalë për hajër. Është shumë e vështirë të ndërrosh trajnerin pothuajse në javën e fundit. Do pak guxim ta bësh këtë.

Si e prisni ndeshjen me Partizanin? Do të jetë e vështirë?

Mund të themi se Erzeni është surpriza e kampionatit deri më tani. Partizani duhet ta vlerësojë shumë ndeshjen, nuk ka asnjë ndeshje të lehtë dhe të vështirë. Fitorja ndaj çdo ekipi është tri pikë, kështu vlerësimi duhet të jetë maksimal ndaj të gjithëve. Nuk ka më ekipe të dobëta, sepse vetëm 10 të tilla janë. Përderisa janë në Superiore, të gjithë e meritojnë të jenë aty.

Është Partizani pretendenti kryesor për titullin?

Partizani është çdo vit pretendent kryesor për titullin. Duhet punë shumë e madhe nga të gjithë çunat, stafi, tifozëria, presidenti dhe çdo njeri tjetër që është aty. Edhe detaji më i vogël ka shumë rëndësi. Shpresoj shumë që çunat në fund fare të arrijnë synimin që i kanë vënë vetes, titullin kampion.

Cili është rivali më i fortë i “demave” në këtë sezon?

Besoj se Vllaznia do të jetë pretendente. Edhe Tirana me Kukësin ndoshta. Josa është një nga trajnerët më me eksperiencë në Shqipëri, është shumë kërkues, i ka dhënë provat tashmë. Futbollistët cilësorë i ka, tani nuk e di, varet se si të merr. Prandaj thashë se Erzeni duhet marrë seriozisht, sepse humbja ndaj tyre e ka dëmtuar jo pak Vllazninë. Nëse do të fitonin ndaj tyre, tani do të kishin 9 pikë. Pastaj të mos harrojmë se kanë fituar me Kukësin dhe Tiranën, që janë favoritë absolutë.

Duket se gjithçka në sulm e bën Skuka, mos po krijon varësi skuadra ndaj tij?

Skuka është ai që i finalizon aksionet, sulmuesi kryesor, pyka e ekipit dhe tek ai do të mbështetet e gjithë loja e Partizanit. Pastaj edhe çunat e tjerë duhet të bëjnë të tyren. Ndaj Laçit ndeshja duhet të kishte përfunduar minimalisht 4-0. Kishte Cara dy raste, që nuk duhet të falen, sepse ndeshja mund të kishte përfunduar edhe 1-1.

Duhet të jenë shumë vigjilentë, të punojnë mirë para portës. Varësia ndaj Skukës krijohet automatikisht, pasi ai është lojtari kryesor në sulm dhe i bie përgjegjësia mbi shpatulla. Megjithatë, nuk mendoj se ky është një problem për Skukën, madje duhet ta stimulojë të angazhohet më shumë.

Duke qenë se keni luajtur në një pozicion të ngjashëm me ta, si ju duket loja e Hotit dhe Da Silvës?

Më kanë pëlqyer të dy te Partizani. Da Silvën e kam parë te Vllaznia, Hotin nuk e kisha parë, por më duket lojtar shumë interesant, punon mirë me topin dhe ka horizont. Tani duhet t’ia lëmë kohës, sepse tri ndeshje janë pak për ta vlerësuar. Kemi rastin e Skukës që nuk bëri sa duhet te Dinamo dhe shpërtheu te Partizani. Ndonjëherë futbollistët nuk mund ta kenë momentin e vet në çdo lloj skuadre. Shpresojmë shumë që të japin maksimumin e vet dhe besoj se duke kaluar ndeshjet do të jenë akoma më mirë.

Pak ditë para mbylljes së merkatos u largua Belica, teksa erdhën Menish dhe Preka. E forcojnë Partizanin këto lëvizje?

Nuk mund të komentoj shumë për largimin e Belicës. Nuk e di çfarë drejtuesit kanë parë te Belica, që kanë marrë dikë tjetër, janë ata që vlerësojnë. Ne e shohim nga jashtë. Belica ishte një nga shtyllat e Partizanit, u bënë kaq vite aty dhe ishte një lider. Ju keni qenë një nga ata që keni mbështetur qëndrimin e Mehmetit.

Ju surprizoi largimi i tij pak ditë nga starti i sezonit?

U surprizova vetëm nga mënyra dhe nga koha, sepse ishte shumë e vështirë zëvendësimi në ato momente. Nuk është e lehtë të vendosësh trajner të ri 11 ditë nga nisja e kampionatit. Edhe trajneri i ri kur nuk ecën mirë ekipi, mund të gjejë justifikimin dhe të thotë se nuk e bëra unë merkaton, fazën përgatitore e bëri dikush tjetër: “Unë thjesht e mora në fund”. Kjo është ajo që më surprizoi. Gjithsesi, drejtuesit kanë vendosur së bashku dhe nëse kanë bërë mirë apo keq, do të shihet me ecurinë e ekipit. Nëse ecën mirë, do të themi se ishte vendim i drejtë dhe e kundërta. Është pak delikate si pjesë. Të mos harrojmë se së fundmi Çelsi largoi Tuhelin pak pas nisjes së sezonit.

Po e thyen Kolela tersin me italianët te Partizani?

Italianët kanë shkollën më të madhe të trajningut. Gjithmonë ka një herë të parë dhe përse të mos jetë Kolela që të thyejë “këmbën e keqe” të italianëve te Partizani. Shpresoj ta vazhdojë siç e ka nisur, mundësitë janë.

DENIS LALA – Arena e Lajmit

 


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook