Orges Shehi i ka kërkuar skuadrës që të jetë i qetë në derbi, sepse rezultati do të vijë. Në një bisedë të shkurtër me ekipin, numri një i stolit të bardhebluve pranoi se tani është momenti i së vërtetës dhe lojtarët duhet të tregojnë veten në fushën e lojës.
Shehi mësohet t’u ketë thënë lojtarëve që nuk e pranon humbjen, por llogarit fitoren ose barazimin. Sipas tij, futbollistët duhet të jenë të përqendruar dhe të përsërisin derbin e parë, ku edhe pse 10 lojtarë ia dolën të fitonin 2-0. Trajneri kërkoi një sforco të fundit në këtë derbi, që është vendimtar për titullin kampion. Tirana edhe në këtë sfidë ndaj Partizanit, vjen me humbje nga kampionati. Ashtu si edhe në fazën e dytë dhe të tretë, Tirana u mund në Durrës dhe në “Air Albania”. Një ndeshje që ka sjellë te bardheblutë jo pak probleme, pasi skuadra tani mund të ishte pesë pikë nga vendi i dytë.
FORMACIONI – Tirana në këtë moment që flasim ka tre sulmues jashtë, të cilët deri dje kanë qenë titullarë. Hasani me kartonë të verdhë dhe dyshen e dëmtuar Patrik e Nikqi. Të tre do të ishin sulmi në këtë moment që flasim, por nuk do të luajnë. Në këto kushte mund të kemi një sulm me Abazajn, Gjumsin ose Berishën si dhe Haxhiun. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon, por mesfusha do të jetë e njëjtë, me treshen Aleksi, Deliu e Lushkja. Në mbrojtje, Toshevski, Najdovski, Lulaj dhe Përgjoni. Në portë i zakonshmi Visar Bekaj. Ky do të jetë formacioni i bardhebluve.
Skuadra dje punoi e qetë, ndërsa në fund u zhvilluar edhe takimi i zakonshëm brenda grupit. Tirana në sfidën me Partizanin do të ketë probleme në sulm pasi i mungojnë tre lojtarë. Ekipi i Tiranës ka shënuar 48 gola këtë sezon në kampionat. Bardheblutë janë sulmi më i mirë i Superiores, si dhe kanë lojtarin që ka shënuar më shumë gola. Një derbi ka fituar këtë sezon ekipi i Tiranës, kundrejt dy derbeve të fituara nga ekipi i Partizanit. Bardheblutë luajnë për dy rezultate në ndeshjen e së mërkurës. Dy pikë është në avantazh ekipi i Tiranës ndaj atij të Partizanit, kur duhen edhe 4 ndeshje nga fundi i sezonit.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
” “
