Vllaznia, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka kërkuar që të merret në shqyrtim rasti i hedhjes së një lëndë plasëse nga grupi i tifozërisë së Tiranës në drejtim të futbollistëve të Vllaznisë gjatë ndeshjes së sotme në Lushnjë. Sipas klubit shkodran, veprime të tilla janë të papranueshme dhe totalisht anti-sportive.
“Klubi i Futbollit Vllaznia shpreh indinjatën e tij më të thellë në lidhje me rastin e paprecedentë të ndodhur ndonjëherë në kampionatin shqiptar, atë gjatë ndeshjes së ditës se sotme, Tirana-Vllaznia e luajtur në stadiumin “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjës ku jeta dhe shëndeti i futbollistëve të Vllaznisë u rrezikua seriozisht.
Në minutën e 66-të pas shënimit të golit të katërt, kur rezultati ishte fiksuar në shifrat 1-4 në favorin e ekipit tonë, ndërkohë që të gjithë lojtarët e Vllaznisë po festonin brenda fushës së blertë, një lëndë plasëse e fuqishme e hedhur që vinte nga grupi i tifozërisë së Tiranës, shpërtheu fuqishem në fushën e blertë përpara këmbëve të lojtarëve duke i përplasur fuqishëm në tokë disa prej tyre. Fatkeqësisht fusha e blertë ngjante më tepër me një skenë lufte sesa me një ambient sportit.
Për shkak të këtij shpërthimi, njëri nga lojtarët e Vllaznisë, i plagosur më rëndë, u detyrua të lërë fushën e lojës dhe të dergohet menjëherë në Spitalin Rajonal të Lushnjës. Sipas raportit të mjekëve të urgjencës së spitalit rezultoi ka pësuar djegie, humbje të dëgjimit dhe humbje ekuilibrit. Ndërkohë lojtarët e tjerë që mbetën në fushën e lojës pësuan turbullime të dukshme te shikimit dhe të dëgjimit.
Pas këtij momenti të shëmtuar ku u lëndua shëndeti i futbollistëve kuqeblu, nuk mund të kishte më lojë futbolli dhe përtej vendosmërisë së stafit teknik dhe lojtarëve për të respektuar drejtuesit e garës, mbetet i pakuptimtë vendimi i tyre për vazhdimin e ndeshjes!
Klubi i Futbollit Vllaznia kërkon me forcë nga organet e rendit dhe Policisë së Shtetit të marrin sa më parë të gjitha masat për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të cilët kanë konsumuar një vepër penale të tipit “akt terrorist” e cila ka rrezikuar jetën dhe shëndetin e lojtarëve në fushë.
Kerkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit të marrë menjëherë të gjitha masat me të ashpra për të dënuar çdo sjellje dhe veprim që nuk ka lidhje me misionin e sportit ndaj të gjithë përgjegjësve” – shkruan Vllaznia.