Nesër zgjedhjet parlamentare/ Mesazhi i kreut të KQZ për qytetarët, partitë politike dhe gazetarët: 11 Maji, mundësi për të përcaktuar të ardhmen e vendit tonë

“Vota juaj është një zë që duhet dëgjuar,”  është mesazhi që kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka postuar në rrjetin social facebook, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë me besim dhe përgjegjësi në votime, e cila është një mundësi për të përcaktuar të ardhmen e vendit tonë.

“Dita e zgjedhjeve është dita e qytetarëve, një ditë ku zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet qartë dhe pa pengesa”, ka shkruar ai.

Celibashi vuri në dukje se këto zgjedhje janë historike, pasi për herë të parë përfshijnë votën e diasporës shqiptare.

Komisioneri ftoi komisionerët të veprojnë me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke nënvizuar se çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me seriozitet të plotë, ndërsa rikujtoi se procesi do të monitorohet nga një prani e gjerë vëzhguesish kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

“Mos harroni se përgjegjësia juaj nuk është vetëm etike, por edhe ligjore. Çdo shkelje e detyrave dhe çdo ndërhyrje në vullnetin e zgjedhësve është e ndëshkueshme sipas ligjit dhe do të trajtohet me seriozitet të plotë”, shprehet ai.

Duke iu drejtuar partive politike, Celibashi theksoi se komisionerët janë në shërbim të procesit dhe qytetarëve, jo të partive që i kanë propozuar.

“Kujtoj se komisionerët, pavarësisht se janë të propozuar nga partitë politike, janë në shërbim të procesit zgjedhor dhe të qytetarëve. Krijimi i një mjedisi të qetë dhe bashkëpunues në qendrat e votimit është detyrim dhe përgjegjësi e përbashkët për të gjithë ne”, thotë Ceibashi.

Mesazhi përfshinte edhe një apel për median dhe gazetarët, ku Celibashi shprehet se “ju që do të raportoni në kohë reale nga terreni, keni një rol kyç në informimin e publikut dhe  transparencën e procesit. Ju falenderoj për përkushtimin tuaj dhe ju ftoj të raportoni me saktësi, paanshmëri dhe profesionalizëm, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion të besueshëm dhe të verifikuar.”

Mesazh i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve mbi Procesin Zgjedhor të datë 11 Maj 2025

Të nderuar zgjedhës,

Nesër, më 11 Maj, ju do të ushtroni të drejtën tuaj për të votuar, një nga të drejtat më themelore të demokracisë dhe një mundësi për të përcaktuar të ardhmen e vendit tonë.

Vota juaj është e rëndësishme, dhe çdo votë është një zë që duhet dëgjuar. Ju inkurajoj të merrni pjesë me besim dhe përgjegjësi në këtë proces vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë.

Këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë, sepse për herë të parë në historinë tonë, vota e diasporës është bërë pjesë e këtij procesi. Rreth 93% e zgjedhësve nga diaspora kanë marrë fletën e votimit, dhe 81% e tyre e kanë plotësuar dhe kthyer në KQZ, duke përfaqësuar 74% të të gjithë votuesve nga diaspora. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes dhe forcimit të lidhjeve me shqiptarët kudo në botë, duke garantuar që zëri i çdo qytetari shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve, të dëgjohet dhe të respektohet.

Për komisionerët

Ju falenderoj për angazhimin tuaj në administrimin e këtij procesi të rëndësishëm. Roli juaj është thelbësor për garantimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe transparente.

Ju ftoj të veproni me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, duke respektuar të drejtat e çdo votuesi dhe duke siguruar që çdo votë të numërohet drejt dhe me integritet.

Mos harroni se përgjegjësia juaj nuk është vetëm etike, por edhe ligjore. Çdo shkelje e detyrave dhe çdo ndërhyrje në vullnetin e zgjedhësve është e ndëshkueshme sipas ligjit dhe do të trajtohet me seriozitet të plotë.

Ky proces do të monitorohet nga një numër i madh vëzhguesish, për të garantuar që çdo veprim të jetë në përputhje me standardet më të larta të demokracisë dhe transparencës:

2,412 vëzhgues vendas nga 45 organizata vendase

925 vëzhgues të huaj nga 30 organizata dhe institucione ndërkombëtare

2,120 vëzhgues afatgjatë dhe 1,217 vëzhgues afatshkurtër

54 media vendase dhe të huaja, do të jenë në terren për të ndjekur dhe raportuar mbi ecurinë e procesit zgjedhor.

Për 11 subjektet që garojnë

Subjektet politike, dhe sidomos subjektet politike të përfaqësuara me komisionerët e tyre, luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e një klime të qetë në qendrat e votimit. Kujtoj se komisionerët, pavarësisht se janë të propozuar nga partitë politike, janë në shërbim të procesit zgjedhor dhe të qytetarëve. Krijimi i një mjedisi të qetë dhe bashkëpunues në qendrat e votimit është detyrim dhe përgjegjësi e përbashkët për të gjithë ne.

I ftoj drejtuesit politik që nga sot e deri në përfundim të procesit të numërimit, të përcjellin për votuesit, për komisionerët dhe këdo tjetër të lidhur me procesin zgjedhor, mesazhe të respektimit të ligjit dhe të autoritetit të institucioneve përgjegjëse për zhvillimin e zgjedhjeve dhe garantimin e integritetit të tyre.

Tani fushata ka përfunduar dhe të gjithëve na duhet të presim me qetësi të shohim verdiktin e votuesve.

Për median dhe gazetarët

Ju që do të raportoni në kohë reale nga terreni, keni një rol kyç në informimin e publikut dhe  transparencën e procesit. Ju falenderoj për përkushtimin tuaj dhe ju ftoj të raportoni me saktësi, paanshmëri dhe profesionalizëm, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion të besueshëm dhe të verifikuar.

Në këtë ditë të rëndësishme, fjala juaj është një pjesë thelbësore e procesit demokratik.

Dita e zgjedhjeve është dita e qytetarëve, një ditë ku zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet qartë dhe pa pengesa.

Ju falenderoj për bashkëpunimin dhe uroj të gjithëve një proces zgjedhor të suksesshëm.

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook