Katër ish të burgosur politikë janë takuar me studentë në Tiranë, në një nismë që synon të kthejë rrëfimet e kujtesën në art. Ndërsa takimi solli copëza kujtimesh mes trishtimit e krenarisë për qëndresën, të rinjtë mësuan të shkuarën e tyre e të vendit.
Me synimin për të fuqizuar brezat e rinj për të eksploruar dhe përjetuar artin dhe historinë në mënyra inovative, Instituti për Demokraci, Media dhe kulturë ka mbajtur aktivitetin “Rinia, Arti dhe Kujtesa: Kultura Digjitale ne Veprim”.
Ish të dënuar politikë, si Lekë Tasi, Gjet Kadeli dhe Vera Bekteshi takuan studentë në Tiranë për të rrëfyer Shqipërinë tjetër që është strukur pas dosjeve, dëshirës për të harruar e banalizimit të së keqes. Në kuadër të nismës përvjetorin e revoltës së Spaçit, një prej protagonistëve, kujtoi si u bë flamuri i kuq pa yll.
Duke synuar të nxisë dialog ndërmjet brezave, përmes ndarjes së historive të të mbijetuarve të regjimit komunist, krijimit të artit digjital dhe angazhimit të komunitetit në aktivitete artistike IDMC me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kërkon të nxisë frymëzimin e brezave të rinj nga historitë e qëndresës ndaj regjimit komunist, duke i sjellë këto rrëfime në forma bashkëkohore të artit digjital përmes IA-së dhe duke i ekspozuar për publikun e gjerë.
Nisma bashkon artin dhe teknologjinë, duke i kthyer sytë nga e djeshmja që ndikon në të sotmen, nga të shkuarat individuale e kolektive. Në dy ditë takime, të rinjtë u njohën me 4 profile ish, historitë e të cilëve, përfaqësojnë breza e grupe shoqërore të shqiptarëve të djeshëm e të sotëm që humbën një pjesë të jetës nën thundër politike.
()