Policia greke ka arrestuar Mikel Selimajn, 46 vjeç nga Vlora, i dyshuar për vrasjen e bashkëkombësit të tij Altin Arapaj, 41 vjeç, i cili u gjet i pajetë pranë një vreshti në Rafinë.
Selimaj u gjet në një apartament me qira në Glyka Nera, pasi pronari i banesës kishte njoftuar autoritetet, i shqetësuar që qiramarrësi nuk kishte dhënë asnjë shenjë jete që nga mëngjesi. Pas përpjekjeve për të hapur derën me çelësa rezervë dhe me ndihmën e një tekniku, Selimaj më në fund e hapi derën vetë. Policia konstatoi se ai ishte personi i shpallur në kërkim për vrasje.
Ngjarja kishte ndodhur dy ditë më parë. Mëngjesin e së mërkurës, viktima kishte arritur të telefononte gruan e tij duke i thënë: “Më qëlloi Keli. Më ndihmo. Kërko dhe më gjej.” Nga gjurmët e celularit, policia fillimisht lokalizoi telefonin dhe më pas gjeti trupin e pajetë të Arapajt në një vresht, ku dyshohet se ishte transportuar nga autori.
Hetimet zbuluan se Selimaj, viktima dhe dy persona të tjerë – gjithashtu shqiptarë, aktualisht në kërkim – ishin takuar në plazhin e Lucës dhe më pas kishin udhëtuar bashkë me makinën e Selimajt. Ata kishin bërë një ndalesë në një fushë, ku shpërtheu një debat mes Selimajt dhe Arapajt. Gjatë sherrit, Selimaj e qëlloi viktimën me armë në fytyrë.
Të dy, si viktima ashtu edhe autori, kishin precedentë penalë për trafik droge. Policia greke dyshon se konflikti mes tyre kishte lidhje pikërisht me çështje droge.