Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka deklaruar se në muajin qershor do të hapen të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë, duke shënuar një etapë vendimtare në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.
Duke folur në konferencën e Qendrës për Studime Evropiane në Bruksel, Kos theksoi vendosmërinë e institucioneve evropiane për të çuar përpara zgjerimin, me Shqipërinë në fokus të këtij procesi.
“Na duhet të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në qershor. Me këtë hap, do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave.”
Ajo shtoi se më pas do të nisë procesi i mbylljes së kapitujve, që është faza përfundimtare dhe po aq e rëndësishme në integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian.
Komisionerja e BE-së konfirmoi gjithashtu se gjatë mandatit të saj do të ketë anëtarësime të reja nga Ballkani Perëndimor.
“Me Edi Ramën kemi një marrëveshje. Unë gjithmonë insistoj që ky proces të jetë i bazuar në merita, por kemi rënë në ujdi për ta realizuar atë martesë të Shqipërisë me Europën më në fund,” deklaroi ajo.
()