Në 26-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Ministri i Shtetit, Taulant Balla, ka kujtuar këtë datë historike si një nga momentet më të rëndësishme për popullin shqiptar dhe mbarë rajonin. Më 12 qershor 1999, pas një fushate 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe, trupat e KFOR-it hynë në Kosovë, duke shënuar përfundimin e luftës dhe fillimin e një epoke të re për vendin.
“Festojmë sot 26-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës. Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë hynë rreth 50 mijë trupa të KFOR-it, nga 39 kombe të ndryshme të botës, të cilat ua rikthyen shqiptarëve të Kosovës lirinë. Në këtë ditë të rëndësishme përkujtojmë epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroizmin e Adem Jasharit, kontributin e Presidentit Thaçi, të komandantëve dhe të çdo dëshmori e kontributori të lirisë, e paraprirë për vite me radhë nga rezistenca paqësore e Presidentit Rugova.”
Kjo ndërhyrje, e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mundësoi largimin e forcave serbe dhe kthimin e më shumë se 800 mijë refugjatëve shqiptarë në shtëpitë e tyre.
Lufta në Kosovë (1998-1999) la pas mbi 13.000 të vrarë dhe më shumë se 1.600 të zhdukur. Krimet e kryera nga forcat serbe janë dokumentuar gjerësisht, dhe shumë nga drejtuesit politikë e ushtarakë serbë janë gjykuar nga Gjykata e Hagës.
Sot, 26 vite më vonë, Kosova ka ecur drejt stabilitetit dhe njohjes ndërkombëtare, ndërsa trupat e KFOR-it, që në fillim përbëheshin nga 50.000 paqeruajtës, janë reduktuar në rreth 4.000 trupa nga 28 vende të botës.