Një turist belg 21-vjeçar ndodhet në gjendje kritike për jetën pas një aksidenti me mjet lundrues në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia, rreth orës 20:00, shtetasi belg me inicialet H. K. ka humbur kontrollin mbi një Jet Ski gjatë manovrave në det dhe është rrëzuar me forcë në ujë.
Pas incidentit, ai u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të dëmtimeve të rënda.
Policia ka shoqëruar pronarin e mjetit lundrues, shtetasin S. Xh., për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa një grup hetimor i posaçëm, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për dokumentimin ligjor të saj.