Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, priti sot në një vizitë zyrtare Komisionerin e Bashkimit Europian për Rininë, Kulturën dhe Sportin, z. Glen Micallef, në shkollën profesionale “Gjergj Canco” në Tiranë. Në këtë takim morën pjesë edhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, si dhe përfaqësues nga UNDP dhe UNICEF.
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në Facebook nga ministri Blendi Gonxhja, i cili vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm në përforcimin e mbështetjes për të rinjtë shqiptarë.
Në qendër të bisedës ishte Garancia Rinore – një iniciativë që synon të nxisë punësimin dhe formimin profesional për të rinjtë – si dhe programet e BE-së dhe sfidat aktuale të tregut të punës.
Pjesëmarrësit zhvilluan një dialog të hapur me të rinjtë, duke theksuar se angazhimi dhe energjia e tyre përbëjnë arsyen kryesore pse investimi tek rinia mbetet prioritet i politikave zhvillimore të vendit.