
Matthew Hughes, 32 vjeç, është dënuar me nga 15 deri në 30 vite burg për hyrje të paligjshme në banesë dhe 3 deri në 7 vite e gjysmë për përndjekje të rënduar ndaj reperit Eminem. Dënimet do të zbatohen njëri pas tjetrit.
Ky është rasti i dytë që Hughes hyn në shtëpinë e reperit. Në ngjarjen e parë në vitin 2020, Eminem e gjeti stalkerin duke qëndruar mbi të në mes të natës dhe Hughes kishte deklaruar se kishte hyrë për ta vrarë.
Pas një marrëveshjeje gjyqësore, ai u dënua atëherë me 5 vite prove, por u arrestua sërish për sulm dhe dërgua në burg. Pas lirimit me kusht në maj të vitit të kaluar, ai u kthye sërish në shtëpinë e reperit disa muaj më vonë.
Gjykata i ndaloi gjithashtu çdo kontakt me Eminem dhe i vendosi urdhër mbrojtjeje, duke mos lejuar afrimin më afër se 500 metra nga shtëpia apo vendi i punës së tij.