U përplas me Rusmajlin në procesin e rinumërimit të votave/ Dogjani: Veprohet me dy standarde. KAS po tjetërson vullnetin qytetar. 300 votat që iu hoqën PD-së ishin të vlefshme

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, ka reaguar ashpër ndaj procesit të rinumërimit të votave, duke denoncuar shkelje të rënda dhe veprim me standarde të dyfishta nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS). I ftuar në “News 24”, Dogjani sqaroi përplasjen verbale që pati me anëtarin e KAS-it, Ilir Rusmajli, duke e akuzuar këtë të fundit për ndikim politik dhe tjetërsim të votës së qytetarëve.

Dogjani deklaroi se qindra vota, sipas tij, të vlefshme të PD-së, përfshirë 300 të tilla në favor të tij, janë shpallur të pavlefshme në mënyrë të padrejtë. Sipas tij, vendime të tilla janë marrë në mënyrë të njëanshme, duke lënë të kuptohet se procesi po ndikohet politikisht. “KAS po tjetërson vullnetin e qytetarëve. Nuk kemi të bëjmë me gabime njerëzore, por me një skemë të organizuar”, u shpreh ai.

Ai theksoi se edhe pse është i vetëdijshëm se mund të mos hyjë në parlament, betejën po e bën për respekt të votuesve dhe integritetin e procesit zgjedhor. “7.900 qytetarë më kanë besuar votën. Dua që çdo votë të shkojë aty ku është hedhur. Kjo që po ndodh në KAS është vjedhje, është hajdutëri,” shtoi Dogjani, duke kërkuar që çështja t’i kalojë Kolegjit Zgjedhor për një vendim më të drejtë.

Asllan Dogjani, kandidat për deputet i PD:  E ngrita zërin për tjetërsimin e votës, për të gjithë qytetarët. Tjetërsimi po vazhdon edhe në rinumërimin e votave. Mendova se të vendoset drejtësi. Jam i bindur se nuk hyj në parlament, por më intereson që çdo votë e qytetarëve të shkojë aty ku e ka dhënë. 7900 votues më kanë besuar mua, kanë votuar të lirë dhe unë ua vlerësoj shumë votën atyre individëve. Këtu është një skemë e organizuar. Nuk kemi të bëjmë me gabime njerëzore. Ishte një votë, ku kryqi ishte vënë përbri emrit tim. KAS e mori si vendim që nuk është votë e vlefshme. Më kanë nxjerrë shumë vota të pavlefshme në këtë mënyrë.

Jo vetëm mua, por edhe deputetëve të PS dhe të partive të tjera. Prandaj u irritova. Unë këtë e quaj vjedhje, këtë e quaj hajdut. KAS po tjetërson vullnetin e qytetarëve. Edhe votat e PS edhe të miat të tilla duhet të ishin të vlefshme, jo me standard të dyfishtë. 300 votat që i janë hequr PD-së janë të vlefshme. Rusmajli veproi me shumë standarde. Kur KAS vepron me dy standarde, unë krijoj dyshimin se këtu vendos Edi Rama. Votat të dërgohen në Kolegjin Zgjedhor. Fitoj apo jo nuk ka rëndësi, unë e bëj betejën për Shqipërinë.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×