Egnatia ka zyrtarizuar çmimet e biletave për ndeshjen europiane që do të luajë në stadiumin “Arena Egnatia”. Klubi ka vendosur një politikë të qartë çmimesh, duke ofruar alternativa për të gjitha kategoritë e tifozëve.
Bileta më e lirë do të kushtojë 300 lekë, ndërsa më e shtrenjta arrin deri në 10 mijë lekë, që korrespondon me tribunën VIP dhe sektorët premium. Përmes këtij vendimi, drejtuesit synojnë të krijojnë një atmosferë sa më mbështetëse në tribunë dhe një impakt pozitiv për klubin edhe në aspektin financiar.
GJESTI – Një tjetër lajm pozitiv është vendimi që hyrja për femrat të jetë falas. Klubi ka vendosur të hapë dyert për të gjitha tifozet femra si një mënyrë për të inkurajuar pjesëmarrjen e tyre në stadium dhe për të promovuar përfshirjen e tyre në ngjarjet sportive.
Ky gjest shihet si një hap përpara në krijimin e një ambienti sa më familjar dhe të civilizuar në tribunat e stadiumit, duke rritur ndërkohë edhe impaktin shoqëror të ndeshjes.