Bashkëpunoi ngushtë me ish-kreun e ultrasve të Milanit/ Ekstradohet nga Dubai në Itali Fatjon Gjonaj, kreu shqiptar i rrjetit ndërkombëtar të drogës

Fatjon Gjonaj, i konsideruar drejtuesi shqiptar i një bande të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Italisë. Ai u arrestua më 3 qershor në Dubai dhe mbërriti në aeroportin Fiumicino të Romës rreth orës 18:15, nga ku u transferua menjëherë në burg nën dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.

Gjonaj dyshohet se ka bashkëpunuar ngushtë me Luca Lucci, ish-udhëheqës i “Curva Sud” të Milanit dhe tashmë i arrestuar për trafik droge në prill të vitit 2025. Të dy konsiderohen figurat kyçe në një rrjet që kontrollonte një linjë të madhe furnizimi me kokainë, hashash dhe marijuanë nga Maroku dhe Spanja drejt Italisë.

Sipas autoriteteve italiane, në vetëm shtatë muaj, banda e drejtuar nga Gjonaj dhe Lucci ka trafikuar mbi 3.5 ton lëndë narkotike, duke përfituar rreth 1.000 euro për çdo kilogram hashash – ndërsa shifrat ishin edhe më të larta për kokainën dhe marijuanën.

Hetimet nisën pas një atentati ndaj Enzo Anghinellit më 12 prill 2019 në Milano. Për këtë ngjarje, janë dënuar në shkallë të parë si porositës Luca Lucci dhe si autor i sulmit Daniele Cataldo. Ky hetim shërbeu si bazë për zbërthimin e rrjetit të trafikut ndërkombëtar dhe çoi në arrestimin e 12 personave në dhjetor 2024 dhe prill 2025, përfshirë edhe Luccin.

Lënda narkotike transportohej përmes kamionëve drejt një magazine në Inveruno pranë Milanos, e më pas shpërndahej në treg përmes një skeme të sofistikuar ku përdoreshin edhe dy punonjës të Amazon për të shmangur vëmendjen e policisë.

Me arrestimin e Gjonajt, autoritetet italiane njoftojnë se kanë goditur një nga degët më të rëndësishme të trafikut të drogës në veri të Italisë.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×