
Biznesmeni dhe modeli Elton Ilirjani ka folur me sinqeritet për ndjenjat e tij lidhur me historinë e ndihmës që i dha këngëtares Parashqevi Simaku, duke pranuar se gjithë kjo vëmendje ka ndikuar edhe në perceptimin e publikut për figurën e tij.
Në një intervistë gjatë pushimeve në jug të vendit për emisionin “Pushime on Top”, Ilirjani u shpreh se pavarësisht krenarisë për Parashqevinë, ka ndjerë një lloj “xhelozie”, pasi publiku e lidh tashmë vetëm me këtë rast dhe jo me pjesën tjetër të karrierës së tij.
“Me rastin e Parashqevi Simaku, nuk e dija që kishte marrë dhenë. Ishte bërë një histori kombëtare. Dhe tani kur dal në rrugë, më pyesin për Parashqevinë, gjë që është shumë e mirë se unë atë e dua fort, e kam si mamin tim. Por, më vjen edhe pak keq, ndihem pak xheloz. Unë jam krenar për Parashqevinë, jam krenar për çfarë kemi bërë bashkë për përmirësimin e saj. Por, ajo që më shqetëson është që mos ndoshta kjo mbivendosje kaq e madhe, ma ka sfumuar pak karrierën mua. Kjo është hera e parë që e them. Nuk është xhelozi më shumë se sa është një merak për karrierën time. Çfarë duhet të bëj unë tani që shqiptarët të vendosin në plan të dytë shpëtimin e Parashqevi Simakut”, u shpreh Ilirjani.