Minuta e 23-të e ndeshjes Shqipëri-Letoni, gjyqtari bën shenjë nga pika e bardhë për penallti në favor të kuqezinjve. Asllani shkon të marrë topin nga letonezët, Manaj çon duart lart.
Të gjithë menduan se mos Manaj do të përsëriste skenën e disa muajve më parë, kur i “vodhi” goditjen e dënimit mesfushorit në ndeshjen ndaj Ukrainës dhe do tentonte të gjuante ai penalltinë, pasi kishte humbur një të tillë me Serbinë. Por veprimi i Manajt këtë radhë ishte krejtësisht i ndryshëm.
Ai u afrua te pika e bardhë për të larguar një futbollist letonez që po mundohej të shqetësonte Asllanin dhe ta shpërqendronte para penaltisë. Pastaj i dha një puthje në shpatull Asllanin dhe fjalë motivimi para se të largohej duke lënë të qetë mesfushorin të bënte atë që di më mirë.
Një situatë krejtësisht ndryshe në radhët e Kombëtares në krahasim me ndeshjet e kaluara ku janë parë situata edhe të çuditshme si sherret për një penallti. Një imazh i qartë se tashmë nuk duhet u lihet më vendimi lojtarëve në fushë dhe se gjithçka është e paracaktuar. Një transformim edhe i Manajt, i cili duket se pas gabimit me Serbinë nga pika e bardhë, ka pranuar rolin e “ndihmësit” dhe jo protagonistit kryesor që i ka caktuar trajneri.