Kryeministri Edi Rama ka denoncuar ditën e djeshme rastin e një gjyqtari që sipas tij ka kryer shkelje me një vendim për rikthimin në detyrë të kreut të AMP-së Vlorë.
Ai e konsideron një rast të rëndë rikthimin e tij në detyrë dhe dhënien e pagave të prapambetura me vendim gjykate, ndërsa shtoi se vendimet e gjyqtarit Boshku do t’i përcillen Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, përmes Ministrisë së Drejtësisë.
Mbi ngjarjen ka reaguar Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.
Në reagim theksohet se deklaratat e kryeministrit Rama janë të papranueshme dhe të paprecedenta.
“Postime dhe komente si ai që është bërë ndaj gjyqtarit Marko Boshku janë në kufijtë e veprës penale dhe, si të tilla, do të monitorohen nga kjo Shoqatë, duke vendosur dhe hapat që do të ndërmerren në çdo rast. Sulmi ndaj gjyqtarëve të veçantë përbën sulm ndaj të gjithë pushtetit gjyqësor dhe kjo, pa mëdyshje, është jo vetëm një tentativë për uzurpimin të këtij pushteti por mund të ketë pasoja në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Parimi i ndarjes së pushteteve është një nga tiparet që e dallon një shtet të së drejtës nga një shtet diktatorial dhe kjo ndarje pushtetesh fillon nga kultura e pranimit të ekzistencës së sferave të kompetencave që nuk të përkasin. Sulmi ndaj një pushteti tjetër jo vetëm që e minon këtë parim gurthemelës të Kushtetutës sonë por është shprehje e një mentaliteti që i përket një regjimi tjetër”, thuhet në reagim.
Deklarata e Shoqatës së Gjyqtarëve:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë konstaton e revoltuar se sërish kreu i ekzekutivit shqiptar, në një mënyrë tërësish të paprecedentë dhe të papranueshme, ka sulmuar një tjetër gjyqtar të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, z. Marko Boshku. Së pari, Shoqata i shpreh mbështetjen e plotë gjyqtarit Boshku, si një gjyqtar me integritet dhe model në punën e tij. Së dyti, ajo nxit Këshillin e Lartë Gjyqësor që të marrë një pozicion më të qartë në mbrojtje të pushtetit gjyqësor në tërësi dhe gjyqtarëve të caktuar në veçanti. Së treti, i bën thirrje të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë për të mbështetur pa rezerva sistemin e reformuar të drejtësisë, i cili është më së pari produkt i ndihmës së tyre të pakursyer, si dhe të bëjnë të mundur që zëri i tyre në këtë drejtim të dëgjohet nga ata që u ka humbur kjo shqisë në raport me aktorët e brendshëm. Së katërti, i kujton përfaqësuesit më të lartë të pushtetit ekzekutiv se çdo deklaratë denigruese në drejtim të gjyqtarëve përbën ndërhyrje në veprimtarinë e tyre dhe se, referuar nenit 145, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një veprim i tillë passjell përgjegjësi sipas ligjit.
Shoqata u garanton të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë se ajo nuk do të tolerojë asnjë veprim, shfaqje apo koment fyes e poshtërues të kryer nga funksionarë të lartë shtetërorë, të kujtdo pushteti që ata t’i përkasin. Kjo Shoqatë nuk do të ndalet vetëm në bërjen e deklaratave që dënojnë sjellje të tilla apo që shprehin solidaritet me gjyqtarët por, sipas rastit, do të ushtrojë çdo mjet tjetër ligjor. Postime dhe komente si ai që është bërë ndaj gjyqtarit Marko Boshku janë në kufijtë e veprës penale dhe, si të tilla, do të monitorohen nga kjo Shoqatë, duke vendosur dhe hapat që do të ndërmerren në çdo rast. Sulmi ndaj gjyqtarëve të veçantë përbën sulm ndaj të gjithë pushtetit gjyqësor dhe kjo, pa mëdyshje, është jo vetëm një tentativë për uzurpimin të këtij pushteti por mund të ketë pasoja në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Parimi i ndarjes së pushteteve është një nga tiparet që e dallon një shtet të së drejtës nga një shtet diktatorial dhe kjo ndarje pushtetesh fillon nga kultura e pranimit të ekzistencës së sferave të kompetencave që nuk të përkasin. Sulmi ndaj një pushteti tjetër jo vetëm që e minon këtë parim gurthemelës të Kushtetutës sonë por është shprehje e një mentaliteti që i përket një regjimi tjetër.
Reagimi i Kryeministrit Edi Rama në Facebook:
Një tjetër sport tradicional i gjykatësve pa flamur e pa atdhe të Drejtësisë së Vjetër, fatkeqësisht vazhdon të ushtrohet edhe nga gjykatës më të rinj, të cilët duhet të mbajnë lart flamurin e Drejtësisë së Re me pavarësinë, profesionalizmin e integritetin e tyre.
Pa asnjë gajle fare, gjykatësi Boshku, ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar, e për pasojë edhe të larguar nga detyra e të çuar në prokurori!
Rasti është i ububushëm!
Si drejtues rajonal i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore – pra i trupës që ligji ngarkon për të kontrolluar veprimet dhe garantuar integritetin e Policisë së Shtetit – një birbo pa din e pa iman, jo vetëm kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil (i denoncuar nga njerëzit e zonës), po edhe kishte mashtruar me shkrim, duke pretenduar legalizimin e ndërtimit, me gënjeshtrën se ndërtimi ishte bërë në 2018-ën.
Por fotot satelitore nxorrën bishtin e gjatë të gënjeshtrës, duke provuar se ndërtimi është bërë shumë kohë pas vitit 2020; vit që sipas ligjit është edhe viti i fundit për marrjen në shqyrtim të kërkesave për legalizim.
Pra birboja kishte ndërtuar pa leje duke qenë edhe drejtor i një institucioni ligjzbatues, gjë që çoi në largimin e tij nga AMP-ja dhe dorëzimin e rastit të tij në Prokurorinë e Sarandës.
Mirëpo, ka ligj ka edhe Maliq i thonë kësaj, sepse ndërkohë që shteti, përmes Policisë kërkon nga drejtësia në Sarandë ndëshkimin ligjor të birbos, drejtësia në Tiranë, përmes gjykatësit Boshku, kërkon nga shteti të rimarrë birbon në krahët e vet. Madje ta përqafojë dhe ta ulë përsëri në karrigen e drejtorit!
Çfarë të thuash!!!
Ministria e Drejtësisë, do t’ia përcjellë keqbërjen e gjykatësit Boshku organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ – ILD), ndërsa me birbon uroj të merret seriozisht drejtësia.
Por me këtë rast, dua t’u përcjell një mesazh të qartë edhe gjykatësve si ky Boshku, që pa parë fare dosjet, pa thirrur fare, hiç, shtetin si palë e dëmtuar, urdhërojnë kthimin në punë të të larguarve nga detyra për paudhësira, si puna ulëritëse e këtij ujkut me mëlçi në qafë të AMP-së së Vlorës; madje vendosin pa pikë turp si detyrime të shtetit, kaq e aq paga dëmshpërblim për tipa të tillë.
Mesazhi im është ky:
Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e lartpërmendura të vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik.
© BalkanWeb