Analisti dhe gazetari Mentor Kikia, në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e News24, ka komentuar garën për Bashkinë e Tiranës, ku Partia Demokratike së bashku me forca të tjera opozitare kanë mbështetur kandidaturën e aktorit dhe aktivistit Florjan Binaj, përballë Ogerta Manastirliut të Partisë Socialiste.
Kikia e përshkroi Manastirliun si një kandidate tradicionale, me një karrierë të gjatë në politikë dhe administratë publike, duke theksuar përvojën e saj në nivelet më të larta të qeverisjes.
“Manastirliu është kandidate tradicionale, politikane me karrierë dhe nëpunëse e nivelit të lartë të administratës që ka vite eksperiencë,” u shpreh ai.
Ndërsa për Florjan Binajn, Kikia theksoi se ai vjen jashtë sistemit politik, gjë që mund të shihet si avantazh, pasi nuk mban përgjegjësi të mëparshme në administratë.
“Florjan Binaj është një njeri që vjen jashtë politikës, pa karrierë dhe pa përgjegjësi në administratën publike dhe kjo mund të shihet si favor, sepse nuk ka asnjë element nga ku mund të sulmohet në këtë aspekt,” tha Kikia.
Megjithatë, ai vuri në dukje sfidat me të cilat përballet Binaj për të ndryshuar perceptimin publik, duke kaluar nga figura e njohur si aktor dhe pjesëtar i shoqërisë civile, në një alternativë serioze politike.
“Duhet të thyejë disa barriera të mentalitetit shqiptar, sepse sado që ta pëlqejnë si aktor, do duhet ta shohin si person në politikë.”
Sipas tij, vendimi i PD për të mbështetur Binajn është një përpjekje për të bashkuar votën opozitare, pas dështimit për të maksimalizuar rezultatin në zgjedhjet e 11 majit.
“Zgjedhja e Binajt dhe mbështetja e tij nga PD është një përpjekje për të bashkuar votat e opozitës në Tiranë, sepse u pa edhe në zgjedhjet e 11 majit që vota u shpërnda dhe nuk u maksimalizua për t’u shndërruar në pushtet.”
Ai theksoi se Binaj ka arritur të tërheqë një pjesë të madhe të fraksioneve opozitare dhe e konsideroi situatën interesante për t’u ndjekur.
BalkanWeb